Trump thirrje demonstruesve në Iran: Vazhdoni të protestoni, ndihma është duke ardhur

Trump thirrje demonstruesve në Iran: Vazhdoni të protestoni, ndihma është duke ardhur

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u bëri thirrje demonstruesve antiqeveritarë në Iran që të vazhdojnë protestat në mbarë vendin, duke u thënë se “ndihma është duke ardhur”, transmeton Anadolu.

“Patriotë iranianë, vazhdoni të protestoni – merrni kontrollin e institucioneve tuaja! Ruani emrat e vrasësve dhe abuzuesve. Ata do të paguajnë çmim të madh”, shkroi Trump në Truth Social. “Kam anuluar të gjitha takimet me zyrtarët iranianë derisa të ndalen vrasjet e pakuptimta të protestuesve. Ndihma është duke ardhur. MIGA!”, shtoi ai.

Trump përdori një akronim të ngjashëm me sloganin e tij “Make America Great Again” (MAGA), duke iu referuar në këtë rast Iranit.

Nuk është e qartë se çfarë nënkuptonte saktësisht Trump kur tha se zyrtarët iranianë do të “paguajnë çmim të madh”, por të hënën ai deklaroi se SHBA-ja do të vendosë një tarifë 25 për qind ndaj të gjitha vendeve që bëjnë biznes me Iranin.

Po të hënën, Shtëpia e Bardhë tha se Trump “ka interes” të eksplorojë diplomacinë me Teheranin, por postimi i tij një ditë më pas duket se ka konfirmuar se një qasje e tillë është ndalur.

Zyrtarët e qeverisë iraniane kanë akuzuar SHBA-në dhe Izraelin se po e mbështesin atë që ata e përshkruajnë si “trazira” dhe “terrorizëm”.

Nuk ka shifra zyrtare për viktimat, por Agjencia e Lajmeve për Aktivistët e të Drejtave të Njeriut (HRANA), një organizatë me bazë në SHBA, vlerëson se numri i të vdekurve ka arritur të paktën 646, përfshirë forcat e sigurisë dhe protestuesit, me mbi 1.000 të plagosur.

HRANA raportoi gjithashtu se të paktën 10.721 persona janë ndaluar gjatë protestave në 585 lokacione në mbarë vendin, përfshirë 186 qytete në të 31 provincat.

MARKETING