Trump: SHBA po flet me “personat e duhur” në Iran, Teherani kërkon marrëveshje “me çdo kusht”

Trump: SHBA po flet me “personat e duhur” në Iran, Teherani kërkon marrëveshje “me çdo kusht”

MARKETING

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se Washingtoni është në kontakt me “ndërmjetësit e duhur” iranianë dhe se Teherani është i etur për të arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në vazhdim, transmeton Anadolu.

MARKETING

Sample Image

“Askush nuk e di me kë të flasë, por ne në fakt po flasim me personat e duhur. Ata duan të bëjnë një marrëveshje aq shumë, sa nuk e keni idenë sa shumë duan të bëjnë një marrëveshje”, tha Trump gjatë ceremonisë së betimit të sekretarit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së.

Ai tha se një “numër personash” po zhvillojnë bisedimet me Iranin, përfshirë zv/presidentin JD Vance dhe sekretarin e Shtetit, Marco Rubio.

Presidenti amerikan tha se Irani “po flet me arsye” dhe pretendoi se Teherani “ka rënë dakord se nuk do të ketë kurrë armë bërthamore”.

Megjithëse Irani nuk i ka konfirmuar këto pretendime, Teherani prej kohësh ka deklaruar se nuk ka ndërmend të zhvillojë armë bërthamore.

Komentet vijnë pas një raporti nga CNN që thotë se Washingtoni ditët e fundit ka kontaktuar Teheranin përmes ndërmjetësve të ndryshëm për të parë nëse është e mundur një marrëveshje, megjithëse ende nuk ka pasur negociata formale.

SHBA-ja dhe Izraeli kanë kryer sulme ajrore ndaj Iranit që nga 28 shkurti, duke vrarë deri tani më shumë se 1.340 persona, përfshirë edhe liderin suprem të atëhershëm Ali Khamenei.

Teherani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, si dhe Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë kapacitete ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë, si dhe duke ndikuar në tregjet globale dhe aviacionin.

Tensionet janë rritur gjithashtu që nga 2 marsi, kur Izraeli zgjeroi operacionet ushtarake në Liban, duke nisur sulme ajrore në periferitë jugore të Bejrutit dhe zona në jug dhe lindje, përpara se të fillonte një inkursion të kufizuar tokësor në jug më 3 mars.

MARKETING