Trump: SHBA-ja është e gatshme dhe e armatosur nëse Irani vret protestuesit
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar se Washingtoni do të ndërhyjë nëse Irani “qëllon dhe vret me dhunë protestuesit paqësor”, duke theksuar se “SHBA-ja është e gatshme dhe e armatosur për të vepruar”, transmeton Anadolu.
“Nëse Irani qëllon dhe vret me dhunë protestuesit paqësorë, gjë që është zakon i tyre, SHBA-ja do t’i ndihmojë. Ne jemi të gatshëm dhe të armatosur për të vepruar. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Fars dhe grupi i të drejtave të njeriut Hengaw i Iranit raportuan viktima gjatë përleshjeve midis protestuesve dhe forcave të sigurisë. Dy persona u vranë në qytetin Lordegan në Iranin jugperëndimor, ndërsa Fars tha se tre të tjerë humbën jetën në Azna dhe një tjetër në Kuhdasht.
Duke cituar një zyrtar lokal të paidentifikuar, agjencia raportoi se më shumë se 150 persona u mblodhën në zonën Lordegan, duke brohoritur slogane antiqeveritare dhe duke hedhur gurë në ndërtesat publike.
Protestat shpërthyen më 28 dhjetor në Pazarin e Madh të Teheranit për shkak të zhvlerësimit të ndjeshëm të rialit iranian kundrejt valutave të huaja dhe përkeqësimit të kushteve ekonomike, përpara se të përhapeshin në disa qytete të tjera në të gjithë vendin.
Presidenti Masoud Pezeshkian gjithashtu ka pranuar pakënaqësinë publike, duke theksuar se qeveria mban përgjegjësi për problemet aktuale ekonomike dhe duke u kërkuar zyrtarëve të mos fajësojnë aktorët e jashtëm si SHBA-në.

