Trump: SHBA-ja do të vendosë tarifa prej 25 për qind për Japoninë dhe Korenë e Jugut

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë të ditur se Washingtoni do të vendosë një tarifë prej 25 për qind për mallrat nga Japonia dhe Koreja e Jugut duke filluar nga 1 gushti, transmeton Anadolu.
Trump postoi letra në platformën Truth Social drejtuar kryeministrit japonez, Ishiba Shigeru dhe presidentit të Koresë së Jugut, Lee Jae-myung.
“Marrëdhënia jonë, për fat të keq, ka qenë larg të qenit reciproke”, shkroi Trump.
Trump i nxiti të dy vendet të prodhojnë mallrat e tyre në SHBA si një mënyrë për të anashkaluar tarifat. Ai gjithashtu tha se tarifa prej 25 për qind është “shumë më e ulët” se niveli i nevojshëm për të adresuar plotësisht çekuilibrin e deficitit tregtar me vendet e tyre.
Trump gjithashtu paralajmëroi se tarifat mund të rriten mbi 25 për qind nëse Koreja e Jugut ose Japonia reagojnë me tarifat e tyre ndaj SHBA-së.
“Nëse për ndonjë arsye vendosni të rrisni tarifat tuaja, atëherë, pavarësisht numrit që zgjidhni t’i rrisni ato, do t’i shtohet 25 për qind që ne ngarkojmë”, presidenti amerikan.
Më parë, Trump tha se do t’u dërgojë letra vendeve të ndryshme duke përshkruar normat e tyre specifike të tarifave duke filluar nga e hëna, afër afatit të së mërkurës që ai kishte vendosur për marrëveshje tregtare për të shmangur tarifa shumë më të larta nga SHBA-ja.
Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, për agjencinë e lajmeve financiare CNBC tha se SHBA-ja do të bëjë “disa” njoftime tregtare në 48 orët e ardhshme.
Para se taksat e larta mbi mallrat nga dhjetëra vende të pritet të kthehen më 9 korrik, Bessent tha se vendet po përpiqen të negociojnë me SHBA-në.
“Kemi pasur shumë njerëz që kanë ndryshuar qëndrim në lidhje me negociatat”, tha ai.
“Do të jenë disa ditë të ngjeshura”, shtoi ai.