Trump: SHBA do të dërgojë armë në Ukrainë nëpërmjet NATO-s

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë më 10 korrik se Shtetet e Bashkuara janë duke dërguar armë në Ukrainë përmes NATO-s, një javë pasi Pentagoni ka bërë të ditur që do të ndalojë së dërguari disa armë në këtë shtet të goditur nga lufta e Rusisë.
Trump ka thënë se do të bëjë një “deklarim të madh” për Rusinë më 14 korrik. Ai nuk ka dhënë më shumë hollësi në këtë aspekt, mirëpo ka folur për dërgimin e armëve.
“Po i dërgojmë armë NATO-s, dhe NATO-ja po paguan për këto armë 100%. Pra, çfarë po bëjmë është se armët që po nisen, po shkojnë në NATO, dhe më pas NATO-ja do t’i dorëzojë këto armë në Ukrainë dhe NATO-ja do të paguajë për këto armë”, ka thënë Trump në një intervistë për transmetuesin amerikan NBC.
Më herët gjatë javës, Trump ka thënë se do të kërkojë nisjen e disa armëve për mbrojtje për Ukrainën, pas komenteve negative të disa anëtarëve të Kongresit rreth njoftimit të Pentagonit, më 2 korrik, që disa armë nuk do të dërgohen, pas shqetësimeve se rezervat amerikane kanë rënë në mënyrë të konsiderueshme.
Trump duket se e ka përmbysur këtë vendim më 8 korrik, kur ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë armë për mbrojtje të Ukrainës, teksa intensifikohen sulmet ruse.
Ai gjithashtu është shprehur i zemëruar me presidentin rus, Vladimir Putin, duke thënë se po e shqyrton mundësinë e vendosjes së sanksioneve të reja ndaj Moskës.
Trump ka thënë se është duke e studiuar propozimin e senatorëve Lindsey Graham dhe Richard Blumenthal për vendosjen e sanksioneve dhe tarifave ndaj shteteve që mbështesin luftën e Rusisë, dhe masa tjera ndëshkuese për sistemin bankar të Rusisë.
“Besoj se do të bëj një deklarim të madh për Rusinë të hënën”, ka thënë Trump gjatë intervistës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje aleatëve që t’i përdorin “asetet ruse” për rindërtim të Ukrainës dhe ka kërkuar më shumë armë, investime dhe prodhim të përbashkët të armëve për mbrojtje./REL