Trump: Raketat Patriot për Ukrainën “tashmë po dërgohen” nga Gjermania

Trump: Raketat Patriot për Ukrainën “tashmë po dërgohen” nga Gjermania

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë të ditur se sistemet raketore Patriot për Ukrainën “tashmë po dërgohen” nga Gjermania, në bazë të një marrëveshjeje të mbështetur nga NATO në të cilën SHBA-ja do të rimbursohet plotësisht, transmeton Anadolu.

“Ato tashmë po dërgohen. Po vijnë nga Gjermania dhe më pas do të zëvendësohen nga Gjermania”, u tha Trump gazetarëve pas një aktiviteti në Pensilvani, duke shtuar se “në të gjitha rastet, SHBA-ja rimbursohet plotësisht”.

Trump tha se pagesat do të vijnë ose përmes NATO-s ose drejtpërdrejtë nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE), duke theksuar se, “Nuk do të kemi më investime për të bërë. Po i marrim paratë tona mbrapsht plotësisht”.

“Nëse mund të bëjmë një marrëveshje të paqes, kjo do të ishte e shkëlqyer. Po shpëtojmë 5 mijë apo 6 mijë ushtarë në javë. Ata janë ushtarë rusë dhe ukrainasë, jo ushtarë amerikanë. Është për të ardhur keq. Thuhet se javën e kaluar janë vrarë 7.100 ushtarë, si rusë ashtu edhe ukrainasë”, tha Trump.

Trump njoftoi marrëveshjen të hënën gjatë një takimi në Zyrën Ovale me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

“Bëmë një marrëveshje sot. Ne do t’u dërgojmë armë (ukrainasve) dhe ata do të paguajnë për to. SHBA-ja nuk do të bëjë asnjë pagesë. Ne nuk po i blejmë, por do t’i prodhojmë dhe ata do të paguajnë për to”, tha ai.

Rutte e konfirmoi marrëveshjen, duke theksuar: “SHBA-ja ka vendosur që në të vërtetë të furnizojë në mënyrë masive Ukrainën me gjithçka që është e nevojshme përmes NATO-s. Evropianët po e paguajnë këtë 100 për qind”.

MARKETING