Trump: Priten bisedime shtesë me Iranin sonte
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë të ditur se bisedime shtesë me Iranin pritet të zhvillohen sonte më vonë, raporton Anadolu.
“Nuk jam i kënaqur me faktin që ata nuk janë të gatshëm të na japin atë që duhet të kemi. Nuk jam i entuziazmuar për këtë. Do të shohim çfarë do të ndodhë. Do të flasim më vonë. Do të kemi disa bisedime shtesë sot”, u tha Trump gazetarëve përpara se të nisej për një udhëtim në shtetin e Teksasit.
Komentet e tij vijnë një ditë pasi përfundoi raundi i tretë i negociatave indirekte mes delegacioneve të SHBA-së dhe Iranit në Gjenevë të Zvicrës.
Trump tha se “nuk është i kënaqur” me mënyrën se si Irani po negocion.
“Do të ishte e mrekullueshme nëse ata do të negocionin me mirëbesim dhe ndërgjegje të pastër, por nuk po arrijnë aty. Deri tani, nuk po arrijnë aty”, tha ai.
Presidenti amerikan ritheksoi se Irani nuk mund të ketë armë bërthamore.
I pyetur nëse përdorimi i forcës ushtarake do të sillte ndryshim regjimi në Iran, Trump u përgjigj “askush nuk e di”.
“Mund të ketë dhe mund të mos ketë. Do të ishte më mirë nëse do ta bënim pa (ushtrinë), por ndonjëherë duhet ta bësh me të. Ne kemi ushtrinë më të madhe kudo në botë. Nuk ka asgjë të përafërt. Do të doja të mos e përdorja, por ndonjëherë duhet. Do të shohim çfarë do të ndodhë”, tha Trump.
Ai shtoi se ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.
Më herët, Departamenti Amerikan i Shtetit autorizoi largimin e personelit jo-emergjent të qeverisë amerikane dhe familjarëve të tyre nga Izraeli për shkak të “rreziqeve të sigurisë”.
“Në përgjigje të incidenteve të sigurisë dhe pa njoftim paraprak, Ambasada e SHBA-së mund të kufizojë ose ndalojë më tej udhëtimet e punonjësve të qeverisë amerikane dhe familjarëve të tyre në zona të caktuara të Izraelit, Qytetin e Vjetër të Kudsit dhe Bregun Perëndimor”, thuhet në deklaratë.
Javëve të fundit, SHBA-ja ka forcuar praninë e saj ushtarake në rajon dhe ka sinjalizuar mundësinë e veprimit ushtarak për të ushtruar presion mbi Iranin që të heq dorë nga programet bërthamore dhe raketore, si dhe të kufizojë “aleatët e tij rajonal”.
Teherani ka akuzuar Washingtonin dhe Izraelin për fabrikimin e preteksteve për ndërhyrje dhe ndryshim regjimi, si dhe ka paralajmëruar se do t’i përgjigjet çdo sulmi ushtarak, edhe nëse është i kufizuar, teksa këmbëngul se heqja e sanksioneve duhet të shoqërojë çdo kufizim të programit bërthamor.

