Trump pas takimit me Ursula von der Leyen: SHBA nuk do t’i ulë tarifat ndaj BE-së poshtë 15%

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi të dielën se ka mundësi të mira që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian të arrijnë një marrëveshje tregtare, ndonëse ekzistojnë ende “tre ose katër pika thelbësore mosmarrëveshjeje”.
Deklarata u bë në fillim të takimit të tij me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në kompleksin e golfit të Trump në Turnberry, në bregun perëndimor të Skocisë.
Sipas Trump, çështja kryesore e debatit është “barazia” në tregti, duke përmendur pengesat që përballen eksportet amerikane të makinave dhe produkteve bujqësore drejt tregut evropian.
Donald Trump ka thënë se nuk ka ndërmend të ulë tarifat ndaj Bashkimit Evropian poshtë 15%. Sektori farmaceutik nuk do të jetë pjesë e asnjë marrëveshjeje të mundshme tarifore SHBA-BE. “Në thelb, produktet farmaceutike nuk do të jenë pjesë e saj, sepse ne duhet t’i prodhojmë ato në Shtetet e Bashkuara. Nuk mund të jemi në një pozicion ku duhet të varemi nga vendet e tjera”, tha Trump.
Nga ana e saj, Ursula von der Leyen vlerësoi se mundësia për një marrëveshje është 50 me 50: “Mendoj se Presidenti Trump ka të drejtë, kemi 50-50 shanse për të arritur një marrëveshje mbi tarifat, ka të bëjë me ribalancimin e tregtisë transatlantike.”