Trump: Pas Iranit, radhën e ka Kuba
Presidenti i Shteteve të Bashkuara tha se Kuba po përjeton një krizë të thellë ekonomike dhe se ndryshimet politike në ishull është e mundur të ndodhin në një të ardhme të afërt.
Donald Trump për Politico nënvizoi se administrata amerikane ka shtuar presionin ndaj Kubës, përfshirë shtrëngimin e sanksioneve dhe kufizimeve në furnizimet me burime energjetike.
Faktori kyç, sipas tij, ka qenë kriza ekonomike, e përkeqësuar nga ndalimi i furnizimeve me naftë nga Venezuela, duke shkaktuar probleme serioze me karburantin dhe energjinë në vend.
Ai gjithashtu theksoi se “regjimi armiqësor në Kubë nuk do të zgjasë shumë”.
“Kuba gjithashtu do të bie. Ne i ndaluam tërë naftën, tërë paratë, apo, me fjalë të tjera, i ndaluam të gjitha furnizimet që vinin nga Venezuela, e cila ishte burimi i vetëm. Dhe ata duan të negociojnë”, tha ai.
Lideri amerikan gjithashtu konfirmoi se Shtetet e Bashkuara janë në kontakt me udhëheqjen komuniste të Kubës, ndërsa paqëndrueshmëria në ishull po intensifikohet pas kapjes së liderit venezuelas, Nicolas Maduro.
Ndryshe, SHBA-ja dhe Izraeli po vazhdojnë me intensitet të lartë të bombardojnë objektiva të regjimit iranian.

