Trump paralajmëron Rusinë: Jam i zhgënjyer, por ende s’kam mbaruar me Putinin

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se është i zhgënjyer nga Vladimir Putini, por ende ‘nuk e ka përfunduar marrëdhënien me të’.
Në një intervistë ekskluzive telefonike për BBC, kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi: “Nuk kam besim pothuajse te askush”, kur u pyet nëse i beson liderit rus.
Deklaratat vijnë disa orë pasi Trump shpalli planet për të dërguar armë në Ukrainë dhe paralajmëroi se do të vendosë tarifa të ashpra ndaj Rusisë nëse nuk arrihet një marrëveshje armëpushimi brenda 50 ditëve.
Në intervistën nga Zyra Ovale, presidenti amerikan konfirmoi përkushtimin ndaj NATO-s, një aleancë që dikur e kishte quajtur “jashtë loje”. Ai tha se tani aleanca ka ndryshuar sepse vendet anëtare po paguajnë detyrimet e tyre.
Trump foli edhe për marrëdhënien me Putinin, duke pranuar se ka menduar se një marrëveshje me Rusinë ishte e afërt katër herë, por çdo herë, sipas tij, Putini e ka shkatërruar shpresën me veprime të reja, siç është bombardimi i ndërtesave në Kiev.
“Jam i zhgënjyer, por nuk kam përfunduar me të,” tha Trump. “Do të kemi një bisedë të mirë. Mendoj se jemi afër, dhe pastaj ai rrëzon një ndërtesë në Kiev.”
Në lidhje me Mbretërinë e Bashkuar, Trump e quajti “një vend të madh” dhe tha se e pret me padurim vizitën e dytë shtetërore në shtator, ku do të takojë Mbretin Charles. Për Brexit tha se kishte qenë “pak i çrregullt, por tani po rregullohet”.
Ai shtoi se i pëlqen shumë kryeministri britanik Keir Starmer, “edhe pse është liberal”, dhe përshëndeti marrëveshjen tregtare SHBA–MB.