Trump paralajmëron për një sulm të mundshëm izraelit ndaj Iranit, thotë se “mund shumë mirë të ndodhë”

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se një sulm i mundshëm izraelit ndaj Iranit “mund shumë mirë të ndodhë”, por ka theksuar preferencën e tij për të shmangur një konflikt më të gjerë, derisa Washingtoni kërkon një marrëveshje bërthamore me Teheranin, transmeton Anadolu.
MARKETING
“Epo, nuk dua të them se është afër, por duket se është diçka që mund shumë mirë të ndodhë”, tha Trump pas një ngjarje të nënshkrimit të një projektligji kur u pyet për mundësinë e një sulmi izraelit.
“Shikoni, është shumë e thjeshtë, jo e komplikuar. Irani nuk mund të ketë një armë bërthamore”, tha ai.
Duke theksuar se preferon të “shmangë konfliktin”, Trump argumentoi se “Irani do të duhet të negociojë pak më fortë, që do të thotë se ata duhet të na japin disa gjëra që nuk janë të gatshëm të na i japin tani për tani”.
Ai tha se SHBA-ja po punon drejt një zgjidhje diplomatike dhe la të kuptohej përparim në bisedimet me Teheranin.
“Dua të kem një marrëveshje me Iranin. Jemi mjaft afër një marrëveshjeje”, tha Trump, duke shtuar se “për sa kohë që mendoj se ka një mundësi, do të preferoja që ata (izraelitët) të mos futen në mënyrë që të mos e prishin atë”.
Më tej, Trump mbrojti urdhrin e fundit të administratës së tij për largimin vullnetar të punonjësve jo-thelbësorë dhe familjeve ushtarake nga disa vende në Lindjen e Mesme.
“Ekziston mundësia e një konflikti masiv. Kemi shumë amerikanë në këtë zonë dhe thashë se duhet t’u themi të largohen, sepse diçka mund të ndodhë së shpejti. Nuk dua të jem unë ai që nuk dha asnjë paralajmërim dhe raketat po fluturojnë drejt ndërtesave të tyre. Është e mundur. Kështu që më është dashur ta bëj”, shtoi ai.