Trump organizoi iftarin tradicional: Në Shtëpinë e Bardhë keni dikë që ju do

Trump organizoi iftarin tradicional: Në Shtëpinë e Bardhë keni dikë që ju do

Në Shtëpinë e Bardhë mbrëmë u organizua iftari tradicional, ku nikoqir ishte presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili mbajti edhe një fjalim gjatë darkës.

Ai falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, duke veçuar myslimanët që mbajnë pozita si kryebashkiakë dhe e kishin mbështetur atë gjatë zgjedhjeve presidenciale.

Në mesin e të ftuarve ishin kryetari i qytetit Hamtramck, Amer Ghalib, të cilin 78-vjeçari e ka zgjedhur si ambasador të ri të SHBA-së në Kuvajt, dhe kryetari i Dearborn Heights, Bill Bazzi, që do të shërbejë si ambasador në Tunizi.

“Ndërsa nderojmë muajin e shenjtë islam të Ramazanit, dua ta filloj duke u drejtuar miqve tanë myslimanë – kemi shumë sonte këtu, dhe mendoj se kemi shumë në mbarë botën, bazuar në rezultatet në Michigan dhe vende të tjera – por dua të them përshëndetje për të gjithë ata që na kanë mbështetur kaq fuqishëm. Ramazan Mubarek”, tha Trump.

Ai foli gjithashtu për angazhimin e SHBA-së në Lindjen e Mesme, ku Izraeli ka rifilluar operacionet në Rripin e Gazës.

“Po i përmbushim premtimet tona ndaj komunitetit mysliman. Administrata ime po ndjek diplomaci të palodhshme për të krijuar një paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, duke u mbështetur në Marrëveshjet historike të Abrahamit, për të cilat të gjithë mendonin se ishin të pamundura. Tani, do të fillojmë t’i zbatojmë ato”, tha lideri amerikan.

Trump falënderoi edhe ambasadorët e vendeve me shumicë myslimane që ishin të pranishëm në këtë iftar.

“Mezi pres të punoj me miqtë e mi myslimanë për një të ardhme më të ndritur, dhe mendoj se do të bëjmë gjëra të shkëlqyera së bashku. Do të përparoni si kurrë më parë, dhe në Shtëpinë e Bardhë keni dikë që ju do”, përfundoi ai fjalimin e tij.

MARKETING