Trump ofron “anije spitalore” për Groenlandën, autoritetet refuzojnë: Shërbimin shëndetësor e kemi falas
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi së fundmi se po dërgon një anije spitalore amerikane në Groenlandë, për të ndihmuar qytetarët e sëmurë. Me anë të një postimi në rrjetin e tij social Truth, Trump shkruan se po bashkëpunon me guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry, për të dërguar një anije spitalore “fantastike” në Groenlandë, për të ndihmuar njerëzit që nuk kanë kujdes mjekësor.
Termi “anije spitalore” i referohet një anijeje të pajisur me spital të lëvizshëm brenda saj, e aftë të ofrojë kujdes mjekësor dhe shërbime urgjente në zona të largëta ose të izoluara, ku mund të mungojnë spitalet ose shërbimet e specializuara. Në këtë rast, Trump sugjeronte se Groenlanda ka nevojë për ndërhyrje të tillë.
Refuzimi i autoriteteve groenlandeze dhe daneze
Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, iu përgjigj menjëherë ofertës. “Jo, faleminderit. Groenlanda ka një sistem shëndetësor publik, ku të gjithë qytetarët marrin trajtim falas”. Në të njëjtën linjë, kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, theksoi se qasja e barabartë dhe falas në kujdesin shëndetësor është e garantuar si për qytetarët e Danimarkës, ashtu edhe për ata të Groenlandës.
Ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, shtoi se qeveria daneze nuk ishte e informuar për këtë iniciativë dhe se çdo nevojë mjekësore në Groenlandë trajtohet tashmë nga autoritetet lokale dhe nga qeveria e Danimarkës. Groenlanda ka pesë spitale rajonale, ndër të cilat spitali i Nuuk shërben për pacientë nga e gjithë ishulli. Gjithashtu, ekziston një marrëveshje me Danimarkën për përmirësimin e trajtimit të pacientëve groenlandezë në spitalet daneze.
Rasti i emergjencës mjekësore
Së fundmi, forcat daneze evakuuan një anëtar ekuipazhi nga një submarinë amerikane pranë Groenlandës për shkak të një urgjence mjekësore, duke e transportuar me helikopter në spitalin e Nuuk. Autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi gjendjen e tij shëndetësore apo mbi misionin e submarinit. Incidenti tregon se ndërhyrjet mjekësore në ishull kryhen sipas nevojës dhe me koordinim lokal, pa nevojën e një anijeje spitalore shtesë nga SHBA-ja.
Rruga politike e Trump për Groenlandën
Që nga fillimi i mandatit të tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump ka deklaruar shpesh nevojën për të kontrolluar Groenlandën, një territor autonom danez i pasur me minerale, për arsye të sigurisë kombëtare amerikane. Megjithatë, muajin e kaluar, ai tërhoqi këto deklarata të mëparshme dhe vendosi të ndjekë një strategji më diplomatike pas arritjes së një marrëveshjeje “kornizë” me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke siguruar një ndikim më të madh amerikan në rajon, pa pretendime territoriale.

