Trump në takim me Rutte thotë sërish se e ndali luftën mes Kosovës dhe Serbisë

Trump në takim me Rutte thotë sërish se e ndali luftën mes Kosovës dhe Serbisë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka përsëritur deklaratën se gjatë mandatit të tij presidencial ka ndalur luftën mes Kosovës dhe Serbisë.

Këtë pohim Trump e bëri gjatë një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke përmendur mes tjerash edhe ndërhyrjen e tij për të parandaluar konfliktin në rajon.

“Ndalëm luftën mes Kosovës dhe Serbisë,” tha Trump, duke listuar vendet ku, sipas tij, ka luajtur një rol kyç në shmangien e përplasjeve të armatosura.
Deklaratën e tij e ka konfirmuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila disa ditë më parë tha se Trump kishte shmangur një përshkallëzim të mundshëm të situatës së sigurisë në Kosovë.

Në deklarimin e saj të fundit, Osmani theksoi se Trump kishte parandaluar një eskalim të kohëve të fundit.

Por kjo deklaratë ka ngjallur reagimin e ashpër të emisarit të dikurshëm të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Ai e ka akuzuar presidenten Osmani për manipulim të deklaratës së Trump.

“Turp për Vjosa Osmanin që manipuloi fjalët e presidentit Donald Trump. Donald Trump u nominua për Çmimin Nobel për Paqen për punën e tij në paqen dhe normalizimin ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë në vitet 2019 dhe 2020 – përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Washingtonit nga Trump në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë. Osmani nuk ishte pjesë e asaj marrëveshjeje. Dhe të pretendosh sikur kishte diçka të re është absurde,” ka shkruar Grenell në rrjetin social “X”.

Ndërkohë, Presidenca e Kosovës ka paralajmëruar një konferencë për media të presidentes Osmani, menjëherë pas kthimit të saj nga vizita zyrtare në SHBA.

Konferenca pritet të fokusohet në reagimin e Grenellit dhe sqarimin e deklaratave të fundit që lidhen me rolin e Trumpit në parandalimin e përshkallëzimit të situatës mes Kosovës dhe Serbisë.

 

MARKETING