Trump kritikon mediat amerikane, nënkupton mundësinë e revokimit të licencave televizive

Trump kritikon mediat amerikane, nënkupton mundësinë e revokimit të licencave televizive

Presidenti i ShBA-së Donald Trump akuzoi të dielën rrjetet kryesore televizive për mbulim të njëanshëm dhe sugjeroi se ato duhet të humbasin licencat e tyre të transmetimit.

Në një postim në Truth Social, kompania amerikane e mediave sociale që ai zotëron, Trump pretendon se transmetuesit ABC dhe NBC ofrojnë mbulim në mënyrë dërrmuese negativ për presidencën e tij.

“Pavarësisht një popullariteti shumë të lartë dhe, sipas shumëkujt, mes 8 muajve më të mëdha në historinë presidenciale, lajmet e rreme të ABC & NBC, dy nga rrjetet më të këqija dhe më të njëanshme në histori, më japin 97 për qind Lajme të Këqija”, shkroi ai.

Trump shkoi edhe më tej, duke thënë se këto rrjete veprojnë si “krahu i Partisë Demokrate” dhe duhet t’u hiqet licenca nga Komisioni Federal i Komunikimeve (FCC).

“Unë do të isha plotësisht në favor të kësaj sepse ata janë kaq të njëanshëm dhe të pavërtetë, një kërcënim real për Demokracinë tonë!!!”, shtoi ai.

Në një postim të veçantë, Trump aludoi se dy rrjetet nuk po paguajnë detyrimet e tyre në “tarifat e licencimit”, që sipas tij duhet të arrijnë në “miliona dollarë.”

“Ata duhet të humbin licencat e tyre për mbulimin e padrejtë të republikanëve dhe/ose konservatorëve, por të paktën, ata duhet të paguajnë SHUMË për privilegjin e përdorimit të valëve ajrore më të vlefshme kudo dhe në çdo kohë”, theksoi presidenti amerikan, duke i quajtur organizatat mediatike “të korruptuara” dhe duke kërkuar që të “shuhen.”

Trump shpesh ka kritikuar mediat kryesore dhe atë që ai e quan mbulim “fake news” të administratës së tij.

MARKETING