Trump: Kina ngacmuesi më i madh në histori

Trump: Kina ngacmuesi më i madh në histori

Presidenti i SHBA-së Donald Trump iu drejtua publikut gjatë një fotografie me kampionët e garave automobilistike sot në Shtëpinë e Bardhë.

“Njerëzit filluan të sillen nervozë”, tha Trump për tarifat. “Ndryshe nga këta kampionë… asnjë president tjetër nuk do të kishte bërë atë që bëra unë”.

Në fjalimin e tij, ai sulmoi veçanërisht Kinën, duke e quajtur “ngacmuesi më i madh në histori”, transmeton KosovaPress.

“Dikush duhej ta bënte. Ata duhej të ndalonin, sepse nuk ishte më e qëndrueshme. Unë jam i nderuar që kam vendosur tarifa ndaj Kinës. Kina dëshiron të bëjë një marrëveshje, por ata nuk dinë se si ta bëjnë atë. Presidenti Xi është një njeri krenar. Shumë vende të tjera, më shumë se 75 prej tyre, të gjithë na telefonojnë dhe duan një marrëveshje”, tha Trump.

Ai tha se SHBA mund të bëjë një marrëveshje me BE-në dhe Kinën, e cila do të jetë e drejtë për të gjithë.

“Ne jemi shfrytëzuar dhe grabitur për dekada, unë kam menduar për të, për dekada. Asgjë nuk është bërë për këtë. Unë bëra të njëjtën gjë në mandatin tim të parë, por më pas na u desh të rregullonim gjithçka që ndodhi gjatë Covid,” vazhdoi Trump.

Sekretari amerikan i Thesarit Scott Bessent komentoi vendimin e Trump për të rritur tarifat për mallrat kineze në 125%, duke theksuar se nuk është një sulm ndaj Kinës, por një përgjigje ndaj përshkallëzimit të saj, transmeton KosovaPress.

“Siç ka thënë vetë presidenti prej vitesh – ekonomia e Kinës është më e padrejta në historinë moderne. Politikat e tyre nuk po dëmtojnë vetëm SHBA-në, por gjithë botën,” tha Bessent.

Ai shtoi se tashmë pas shpalljes së javës së kaluar amerikane për një “mur doganor”, disa mallra kineze filluan të vërshojnë tregun evropian.

Pavarësisht rritjes së tarifave nga të dyja palët, Bessent thotë se nuk do ta quante një luftë tregtare.

“Jo, kjo nuk është një luftë tregtare. Kjo është një përgjigje ndaj përshkallëzimit kinez. Presidenti Trump ka reaguar me vendosmëri dhe ne tani po punojmë për një zgjidhje – së bashku me partnerët tanë në rajon”, tha ai.

Ai tha se negociatat janë duke u zhvilluar me një sërë vendesh, duke përfshirë Japoninë, Korenë e Jugut, Indinë dhe Vietnamin.

“Me këto lëvizje, Kina në fakt e ka dëmtuar veten – është një autogol i pastër”, shtoi ai.

Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) paralajmëroi se për shkak të marrëdhënieve të tensionuara midis dy ekonomive më të mëdha në botë, tregtia midis SHBA-së dhe Kinës mund të ulet deri në 80%.

Sipas të dhënave 2024, të dyja vendet shkëmbyen mallra në vlerë 582.5 miliardë dollarë, që do të thotë se rënia e mundshme e tregtisë do të ishte rreth 466 miliardë dollarë.

Drejtoresha e përgjithshme e OBT-së Ngozi Okonjo-Iweala, tha se konkurrenca midis SHBA-së dhe Kinës, të cilat së bashku përbëjnë rreth 3% të tregtisë botërore, ka pasoja të gjera që mund të kërcënojnë seriozisht perspektivën ekonomike globale, sidomos vendet më të varfra.

“Nëse ekonomia botërore do të ndahej në dy blloqe kundërshtare, ne mund të shohim një rënie të GDP-së globale prej gati 7% në terma afatgjatë,” paralajmëroi Okonjo-Iweala.

Ndërkohë, më shumë se 166 anëtarë të OBT-së po i bëjnë thirrje organizatës që të mbrojë më me vendosmëri rregullat e tregtisë botërore.

Njëkohësisht, Kina paraqiti një ankesë të re kundër tarifave amerikane në Gjenevë këtë javë, duke shkaktuar një fazë të re të mosmarrëveshjes ligjore brenda OBT-së.

MARKETING