Trump kërkon arrestimin e Obamës, e akuzon ish-presidentin për manipulim mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e 2016-ës

Trump kërkon arrestimin e Obamës, e akuzon ish-presidentin për manipulim mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e 2016-ës

Administrata e Presidentit Donald Trump ka rihapur akuzat ndaj paraardhësit të tij, Barack Obama, duke pretenduar se zyrtarë të lartë të administratës demokrate manipuluan qëllimisht vlerësimet e inteligjencës mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, deklaroi: “Ekzistojnë prova të pakundërshtueshme që tregojnë se Presidenti Obama dhe ekipi i tij i sigurisë kombëtare udhëzuan krijimin e një raporti të komunitetit të inteligjencës, duke qenë të vetëdijshëm se ishte i rremë.”

Në të njëjtën konferencë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, shtoi: “Ish-presidenti Barack Obama dhe zyrtarë të lartë të administratës së tij bashkëpunuan për të minuar fitoren e Donald Trump në zgjedhjet e 2016-ës dhe për të sabotuar vullnetin demokratik të popullit amerikan.”

Në vazhdim të këtyre deklaratave, Presidenti Trump akuzoi Obamën si drejtues të një “konspiracioni kriminal”.

Ai është fajtor për tradhti. Tentuan të vjedhin zgjedhjet, të fshehin të vërtetën dhe bënë gjëra që nuk ndodhin as në vendet më të korruptuara.”
Që prej fillimit të mandatit të tij të dytë, Trump është përqendruar në rihapjen e çështjeve që lidhen me zgjedhjet e 2016-ës. Ai ka hedhur vazhdimisht dyshime mbi legjitimitetin e hetimeve që konkluduan ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje – hetime që ai i cilëson si të politizuara dhe të dizajnuara për ta delegjitimuar atë.

Në fund të vitit 2016, CIA doli me përfundimin se Rusia kishte ndërhyrë në favor të Trump.

Një raport më i gjerë në janar 2017 konfirmoi përpjekjet ruse, ndërsa raporti i prokurorit të posaçëm në vitin 2019, megjithëse nuk gjeti prova të mjaftueshme për bashkëpunim direkt mes fushatës Trump dhe Rusisë, theksoi ndërhyrjen e gjerë dhe të organizuar të Kremlinit në procesin zgjedhor amerikan.

MARKETING