Trump kërkon arrestimin e dy kryebashkiakëve

Trump kërkon arrestimin e dy kryebashkiakëve

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shkaktuar sërish polemika me një deklaratë të pazakontë në platformën X, ku ka kërkuar arrestimin e kryebashkiakut të Chicago-s, Brandon Johnson dhe guvernatorit të Illinois-it, JB Pritzker.
“Kryetari i bashkisë së Chicago-s duhet të jetë në burg për dështimin në mbrojtjen e oficerëve të ICE. Edhe guvernatori Pritzker”, ka shkruar Trump, pa paraqitur asnjë provë konkrete që mbështet akuzat e tij.
Deklarata vjen në një kohë tensioni të shtuar mes administratës federale dhe autoriteteve lokale, pasi presidenti ka urdhëruar vendosjen e trupave të Gardës Kombëtare në qytetin e Chicago-s, me qëllim, sipas tij, luftimin e emigracionit të paligjshëm dhe krimit në qytetet e drejtuara nga demokratët.

Vendimi është zbatuar pavarësisht kundërshtimeve të forta nga autoritetet lokale dhe shtetërore.

Guvernatori i Illinois-it, JB Pritzker, e ka cilësuar këtë veprim si një “marshim autoritar”, duke deklaruar se shteti do të përdorë çdo mekanizëm ligjor për të ndaluar atë që ai e quan një “rrëmbim pushteti” nga administrata federale.

Nga ana tjetër, Trump ka mbrojtur vendimin, duke e quajtur Chicago-n një “zonë lufte” pas protestave të fundit kundër zyrtarëve të imigracionit në qytetin e tretë më të madh të SHBA-së.
Trupat e Gardës Kombëtare janë vendosur edhe në qytete të tjera si Los Angeles dhe Washington, në kuadër të fushatës së re të administratës për zbrazjen e qyteteve nga emigrantët e paligjshëm dhe rikthimin e rendit dhe sigurisë publike.

MARKETING