Trump kërcënon me tarifa Meksikën për shkak të çështjes së ujit
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi se Meksika duhet të lërë të lirë rrjedhën e ujit sipas marrëveshjes, duke njoftuar se përndryshe do të vendoset tarifë prej 5 për qind për importet meksikane, transmeton Anadolu.
Trump pretendon se Meksika ka shkelur marrëveshjen gjithëpërfshirëse të ujit dhe shtoi se kjo ka dëmtuar rëndë produktet bujqësore dhe bagëtinë në Teksas.
Duke mbrojtur idenë se Meksika i detyrohet SHBA-së afërsisht 1 miliard metra kub ujë për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes gjatë pesë viteve të fundit, Trump tha: “SHBA-ja kërkon që Meksika të lërë të lirë afërsisht 250 milionë metra kub ujë para 31 dhjetorit ndërsa pjesa tjetër duhet të vijë menjëherë pas kësaj”.
“Dështimi i Meksikës për t’iu përgjigjur kësaj kërkese është i padrejtë ndaj fermerëve amerikanë që kanë nevojë për ujë”, tha ai.
“Unë kam miratuar dokumentet për të vendosur tarifë prej 5 për qind për Meksikën nëse ky ujë nuk lihet i lirë menjëherë. Sa më shumë që Meksika vonon lirimin e ujit, aq më shumë do të vuajnë fermerët tanë. Meksika ka një detyrim ta zgjidhë këtë çështje menjëherë”, tha Trump.

