Trump kërcënon Kinën me 50 për qind tarifa shtesë

Trump kërcënon Kinën me 50 për qind tarifa shtesë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar se do të vendosë tarifa shtesë prej 50 për qind ndaj Kinës, krahas tarifave reciproke prej 34 për qind të vendosura javën e kaluar, transmeton Anadolu.

Në rrjetet sociale, Trump shkroi se “Kina dje vendosi tarifa hakmarrëse prej 34 për qind mbi tarifat e tyre tashmë rekord, tarifat jo-monetare, subvencionimin e paligjshëm të kompanive dhe manipulimin masiv afatgjatë të monedhës”.

Sipas tij, kjo masë erdhi “pavarësisht paralajmërimit se çdo vend që hakmerret kundër SHBA-së duke vendosur tarifa shtesë, mbi dhe përtej abuzimit afatgjatë ekzistues të tarifave ndaj kombit tonë, do të përballet menjëherë me tarifa të reja dhe shumë më të larta, mbi dhe përtej atyre të vendosura fillimisht”.

Trump tha se nëse Kina nuk e anulon rritjen e saj prej 34 për qind të tarifave deri më 8 prill, ai do të vendosë tarifa shtesë prej 50 për qind ndaj vendit.

Presidenti amerikan tha se norma shtesë e tarifave do të hyjë në fuqi të mërkurën.

“Përveç kësaj, të gjitha bisedimet me Kinën në lidhje me takimet e kërkuara me ne do të ndërpriten. Negociatat me vendet e tjera, që gjithashtu kanë kërkuar takime, do të fillojnë të zhvillohen menjëherë”, shtoi ai.

Të mërkurën e kaluar, Trump njoftoi vendosjen e tarifave reciproke gjithëpërfshirëse për mbi 180 vende në mbarë botën, që fillojnë nga 10 deri në 50 për qind.

Kina iu nënshtrua tarifave prej 34 për qind, pas çka vendi vendosi një tarifë shtesë prej 34 për qind për të gjitha importet nga SHBA-ja, një veprim i konsideruar si një masë kundër tarifës së Trumpit.

MARKETING