Trump ka 90 ditë për të bërë 150 marrëveshje tregtare – si qëndron situata pas një jave me luhatje të forta?

Trump ka 90 ditë për të bërë 150 marrëveshje tregtare – si qëndron situata pas një jave me luhatje të forta?

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe këshilltarët pretendojnë se ky ka qenë plani që në fillim: të shpallin tarifa jashtëzakonisht të larta, t’i detyrojnë vendet të ulen në tryezën e bisedimeve dhe — me përjashtim të Kinës — të tërhiqen më pas për të arritur marrëveshje të reja tregtare.

Por, pauza 90-ditore që lideri amerikan i ka dhënë tarifave të tij “reciproke” i jep administratës vetëm tre muaj kohë për të arritur marrëveshje tregtare tepër komplekse me dhjetëra vende, shkruan cnn.

Tregjet financiare nuk po e besojnë këtë. Aksionet kanë pësuar luhatje të forta pasi paqëndrueshmëria është rritur ndjeshëm. Dhe tregje të tjera po dërgojnë një mesazh të qartë dyshimi të thellë se Trump do të jetë në gjendje ta realizojë këtë plan.

Gjendja deri të premten: Pas një rënie të fortë të aksioneve të enjten, tregjet u dukën më të qeta – për momentin – dhe të premten shënuan rritje të konsiderueshme.

Indeksi Dow përfundoi ditën me një rritje prej 619 pikësh, ose 1.56 për qind. S&P 500 u rrit me 1.81 për qind, ndërsa Nasdaq me 2.06 për qind.

Por, sinjalet paralajmëruese vazhduan të vinin nga tregje të tjera, përfshirë naftën, obligacionet dhe dollarin. Investitorët po tregtojnë në një situatë shumë të pasigurt, ku çdo deklaratë e Trump mund të shkaktojë ose rritje të fortë ose rënie të menjëhershme të aksioneve.

Çfarë pritet të ndodhë?
Administrata Trump shpreh optimizëm, duke thënë se dhjetëra vende kanë shprehur interes për të arritur një marrëveshje. Megjithatë, ajo po jep pak detaje për negociatat që mund të jenë duke u zhvilluar, por ka thënë se do të favorizojë aleatët si Koreja e Jugut dhe Japonia në radhë të parë.

Por, marrëveshjet tregtare janë procese jashtëzakonisht të ndërlikuara që zakonisht negociohen për vite me radhë, jo për muaj.

Kina në sfond
Edhe nëse Trump arrin marrëveshje me të gjitha ato vende në një periudhë të shkurtër, Kina — eksportuesi më i madh në botë — mbetet “elefanti në dhomë”.

Pekini është i përfshirë në një betejë hakmarrjeje me Uashingtonin, me Trumpin që jo vetëm e ka përjashtuar Kinën nga pauza në tarifa, por gjithashtu i ka rritur tarifat ndaj saj në të paktën 145 për qind.

Udhëheqësi kinez Xi Jinping deklaroi në komentet e tij të para publike për përshkallëzimin e luftës tregtare se ai “nuk ka frikë”, dhe ka rritur tarifat për mallrat amerikane në 125 për qind. /Telegrafi/

MARKETING