Trump ironizon me afërsinë e Kinës me Putinin dhe Kim Jong-un

Presidenti amerikan, Donald Trump ka shprehur publikisht zemërimin për afrimin e Kinës me aleatë të fortë autoritarë si Rusia dhe Koreja e Veriut.
Reagimi erdhi pasi në mediat sociale u transmetuan pamje të udhëheqësit kinez, Xi Jinping duke pritur homologun rus, Vladimir Putinin dhe atë koreano-verior, Kim Jong-un në një paradë ushtarake në Pekin.
Në një mesazh ironik në rrjetet sociale, Trump shkroi se “ju lutem, jepini përshëndetjet e mia më të ngrohta Vladimir Putinit dhe Kim Jong-un, ndërsa komplotoni kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Sipas një analize të CNN, nëse ky takim u synua si provokim ndaj Trumpit dhe SHBA-së, atëherë efekti ishte i plotë.
Trump është përpjekur më parë të ndërtojë marrëdhënie personale me të dy liderët – takimi me Putinin në Alaska muajin e kaluar dhe samitet me Kim gjatë mandatit të parë – por rezultatet kanë qenë të pakta. Lufta në Ukrainë vazhdon pa progres, ndërsa Koreja e Veriut ka zgjeruar arsenalin bërthamor.
Trump përmendi edhe kontributin e SHBA-së në Luftën e Dytë Botërore, duke theksuar se shumë amerikanë kishin dhënë jetën për fitoren kundër Japonisë Perandorake, e cila u përkujtua në ceremoninë e mbajtur në Pekin.
Ndërkohë, analistët e shohin festën ushtarake kineze si më shumë sesa një spektakël simbolik. Ajo është pjesë e strategjisë së Kinës për të pozicionuar veten si kundërpeshë ndaj SHBA-së në një rend global gjithnjë e më të paqëndrueshëm. Duke afruar liderë nga Azia dhe Lindja e Mesme, Kina po demonstron potencialin për të krijuar një bllok anti-perëndimor.
Megjithatë, vëzhguesit paralajmërojnë se ndonëse këto aleanca mund të duken të forta në pamje të parë, ato nuk kanë baza të qëndrueshme si NATO apo BE. Marrëdhëniet midis këtyre vendeve shpesh tensionohen, si rasti i përplasjeve territoriale mes Kinës dhe Indisë, apo dominimi i Kinës në raport me Rusinë.
Pavarësisht këtyre, përpjekja e Kinës për të promovuar një sistem alternativ ndaj rendit perëndimor është e dukshme. Kjo vjen në një moment kur politika e jashtme amerikane është më e fragmentuar, veçanërisht për shkak të qasjeve nacionaliste dhe të paparashikueshme të vetë Trumpit.