Trump: Irani “nuk ka karta” përveç Ngushticës së Hormuzit para negociatave
MARKETING
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është përpjekur të minimizojë pozicionin negociues të Iranit përpara bisedimeve të rëndësishme të fundjavës në Islamabad të Pakistanit, duke theksuar se pika e vetme e ndikimit të tij është Ngushtica e Hormuzit, transmeton Anadolu.
MARKETING
“Iranianët duket se nuk e kuptojnë se nuk kanë asnjë kartë, përveç një shantazhi afatshkurtër ndaj botës duke përdorur rrugët ujore ndërkombëtare. Arsyeja e vetme pse janë ende në lojë sot është për të negociuar”, tha Trump në platformën e tij Truth Social.
Aludimi për “rrugët ujore ndërkombëtare” me shumë gjasë i referohet Ngushticës së Hormuzit, të cilën Teherani e kufizoi gjatë konfliktit për të rritur presionin ndaj SHBA-së dhe Izraelit.
“Iranianët janë më të mirë në menaxhimin e mediave të rreme dhe ‘marrëdhënieve me publikun’ sesa në luftë”, tha Trump.
Kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Qalibaf, i cili pritet të luajë një rol kyç në bisedimet në Islamabad, më herët tha se një armëpushim në Liban dhe lirimi i aseteve të bllokuara të Iranit duhet të sigurohen para fillimit të negociatave me SHBA-në.
“Dy nga masat e dakorduara mes palëve ende nuk janë zbatuar, një armëpushim në Liban dhe lirimi i aseteve të bllokuara të Iranit para fillimit të negociatave”, tha Qalibaf në rrjetin social amerikan X.
“Këto dy çështje duhet të përmbushen para se të fillojnë negociatat”, shtoi ai.
Pakistani, së bashku me Turqinë, Kinën, Arabinë Saudite dhe Egjiptin, këtë javë arriti të sigurojë një armëpushim dyjavor mes Washingtonit dhe Teheranit, duke i dhënë fund më shumë se një muaji sulmesh që nisën kur SHBA-ja dhe Izraeli ndërmorën sulme të gjera ndaj Iranit më 28 shkurt.
Si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit, të dyja palët ranë dakord të takohen në Islamabad për bisedime me synimin për të negociuar një paqe të qëndrueshme. Zv/presidenti amerikan, JD Vance, pritet të udhëheqë delegacionin amerikan.

