Trump i “informuar” për propozimin e paqes të Ukrainës të dërguar në SHBA këtë javë
Shtëpia e Bardhë është shprehur me një ton të paqartë në lidhje me pikëpamjet e presidentit Donald Trump mbi një propozim të paqes të dërguar në SHBA më herët këtë javë, duke thënë vetëm se “ai është i informuar” për përgjigjen, transmeton Anadolu.
“Ai është i informuar për këtë, po”, tha Karoline Leavitt, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë, në përgjigje të pyetjes së një gazetari.
Ajo nuk ndau asnjë detaj mbi pikëpamjet e presidentit Trump në lidhje me planin, i cili dje iu paraqit një delegacioni amerikan.
Dje, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha se zhvilloi diskutime “produktive” me delegacionin amerikan të përbërë nga sekretari i Thesarit, Scott Bessent dhe dhëndri i presidentit amerikan, Jared Kushner. Bisedimet, tha ai, u fokusuan te rindërtimi i Ukrainës dhe ndryshimet e propozuara në një plan 20-pikësh për t’i dhënë fund luftës.
Ai tha se bisedimet mund të konsiderohen si “takimi i parë i grupit” të ngarkuar me hartimin e një dokumenti për rindërtimin dhe rimëkëmbjen ekonomike të vendit.
Zelenskyy konfirmoi se kontaktet e ardhshme mes ekipeve tashmë janë rënë dakord, duke theksuar se “nuk do të ketë vonesa” nga ana e Ukrainës, ndërsa punojnë për të dhënë rezultate.
I pyetur nëse SHBA-ja do të dërgojë një përfaqësues në takimin e planifikuar me zyrtarë ukrainas dhe evropianë këtë fundjavë, Leavitt tha se administrata e presidentit Trump do ta bëjë këtë “nëse ka një mundësi reale për nënshkrimin e një marrëveshjeje të paqes”.
“Nëse ndiejmë se këto takime ia vlejnë kohës së dikujt nga SHBA-ja këtë fundjavë, atëherë do të dërgojmë një përfaqësues”, tha Leavitt.
“Ende nuk është e qartë nëse besojmë se mund të arrihet realisht paqja dhe se mund ta çojmë përpara procesin. Presidenti është jashtëzakonisht i frustruar me të dyja palët në këtë luftë dhe është lodhur nga takimet thjesht për hir të takimit. Ai nuk dëshiron më fjalë. Ai dëshiron veprim. Ai dëshiron që kjo luftë të marrë fund”, shtoi ajo.

