Trump fillon të shesë online veshje të vitit 2028, forcon komentet e mëparshme për një mandat të tretë në detyrë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka filluar të shesë veshje të vitit 2028 në faqen zyrtare të internetit të tij, duke nxitur spekulime se komentet e tij të mëparshme mbi dëshirën për të kërkuar një mandat të tretë në detyrë akoma mbeten në tryezë, transmeton Anadolu.
Kjo pavarësisht asaj se kushtetuta amerikane ndalon presidentët të shërbejnë më shumë se dy mandate në Shtëpinë e Bardhë.
Kapelet “Trump 2028” që aludojnë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në vitin 2028 po shiten për 50 dollarë, duke forcuar komentet e javëve të fundit nga presidenti se ai nuk po bën shaka për kandidaturën e tij për një mandat të tretë.
“Kam pasur më shumë njerëz që ma kanë kërkuar të kem një mandat të tretë, i cili në një farë mënyre është një mandat i katërt pasi zgjedhjet e tjera, zgjedhjet e vitit 2020, ishin tërësisht të manipuluara”, tha Trump në një intervistë, duke iu referuar humbjes së tij ndaj presidentit Joe Biden, zgjedhje të cilat ai vazhdimisht ka pretenduar se janë vjedhur.
Në një intervistë tjetër së fundmi për NBC News, Trump tha se “ka metoda me të cilat mund ta bësh këtë”.
Sipas Amendamentit të 22-të të Kushtetutës së SHBA-së, “asnjë person nuk mund të zgjidhet në detyrën e presidentit më shumë se dy herë dhe asnjë person që ka mbajtur detyrën e presidentit ose ka vepruar si president për më shumë se dy vjet të një mandati ku një person tjetër është zgjedhur president, nuk mund të zgjidhet në detyrën e presidentit më shumë se dy herë”.
Një mënyrë si Trump tha se mund ta anashkalojë kushtetutën deh të shërbejë përsëri në Shtëpinë e Bardhë është përfshirja e zv/presidentit JD Vance që të kryesojë biletën republikane në vitin 2028, me Trumpin si kandidat për zv/president. Vance mund të japë dorëheqje pasi të marrë detyrën në vitin 2029, duke i mundësuar Trumpit të marrë Shtëpinë e Bardhë për një herë të tretë.
Amendamenti i 22-të u shtua në kushtetutë në vitin 1951 pasi presidenti Franklin D. Roosevelt u zgjodh për katër mandate radhazi në Zyrën Ovale.
Ekspertët kanë deklaruar se çdo përpjekje e Trumpit për të shërbyer një mandat të tretë do të ishte ligjërisht e dyshimtë dhe do të kundërshtohej në gjykatë.
Megjithatë, me Trumpin që e mban këtë mundësi në tryezë me debutimin e veshjes së tij të vitit 2028, ekspertët politik kanë theksuar se edhe mendimi për ta marrë në konsideratë këtë ide është një pasqyrim i jashtëzakonshëm i dëshirës së Trumpir për të ruajtur pushtetin.
Kritikët kanë aluduar në mentalitetin e pushtetit të presidentit, duke treguar veprimet që Trump ndërmori në vitin 2020 që shkelën traditat demokratike kur u përpoq të përmbysë humbjen e tij në zgjedhje ndaj ish-presidentit Biden.