Trump: Evropa duhet të fokusohet në Ukrainë, jo në Groenlandë

Trump: Evropa duhet të fokusohet në Ukrainë, jo në Groenlandë

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Evropa duhet të përqendrohet në luftën në Ukrainë dhe jo në çështjen e Groenlandës, duke këmbëngulur se do të zbatojë planin e tij për vendosjen e tarifave ndaj vendeve evropiane.

Në një intervistë të shkurtër telefonike për rrjetin amerikan informativ, Trump tha se do t’i godasë “100 për qind” vendet evropiane me tarifa, nëse nuk arrihet një marrëveshje lidhur me Groenlandën.

“Evropa duhet të fokusohet në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, sepse, sinqerisht, po shihni se çfarë u ka sjellë kjo atyre,” ka thënë Trump.

“Kjo është ajo në të cilën duhet të përqendrohet Evropa – jo Groenlanda.”

I pyetur nëse do të përdorte forcën për të marrë nën kontroll Groenlandën, Trump është përgjigjur shkurt: “Pa koment”.

Trump ka komentuar gjithashtu edhe çështjen e Çmimit Nobel për Paqe, duke hedhur poshtë pretendimet se Norvegjia nuk ka ndikim në vendimmarrje dhe se vendimi u takon vetëm anëtarëve të komitetit.

Ai përmendi edhe një letër të mëhershme, të cilën ia kishte dërguar kryeministrit norvegjez, ku shprehej se nuk ndihej më i detyruar “të mendonte vetëm për paqen”, pasi nuk ishte nderuar me Çmimin Nobel për Paqe.

“Norvegjia e kontrollon plotësisht këtë çmim, pavarësisht asaj që thonë. Ata pëlqejnë të thonë se nuk kanë asnjë lidhje me të, por në fakt kanë gjithçka në dorë,” ka deklaruar Trump.

 

MARKETING