Trump: Do të vendos brenda dy javësh për hapat e radhës për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

Trump: Do të vendos brenda dy javësh për hapat e radhës për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se do të vendosë për pozicionin e tij sa i përket luftës në shkallë të plotë të Rusisë kundër Ukrainës në dy javët e ardhshme dhe sërish paralajmëroi se mund të vendosë sanksione kundër Rusisë.

Duke folur për gazetarët në Zyrën Ovale më 22 gusht, ai tha se dëshiron të shohë nëse presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ai ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të takohen fillimisht.

“Mendoj se do ta di. Mendoj se do ta di sjelljen e Rusisë, dhe sinqerisht, edhe të Ukrainës”, tha Trump kur u pyet se çfarë do të bënte në përfundim të afatit dyjavor për vlerësimin e gjendjes së bisedimeve bërthamore.

“Do të marr vendim se çfarë do të bëjmë dhe do të jetë një vendim shumë i rëndësishëm”, tha ai. “Ose do të jenë sanksione masive, tarifa masive ose të dyja. Ose nuk do të bëj asgjë dhe do t’iu them: ‘Kjo është lufta e juaj’”.

Trump më herët ka sugjeruar se Shtëpia e Bardhë po punon për të ndërmjetësuar një takim mes Putinit dhe Zelenskyt për të diskutuar për përfundimin e luftës dhe se një takim trepalësh do të përfshinte dy udhëheqësit dhe Trumpi që do t’i bashkohej më vonë takimit.

Trump foli në një ngjarje në Shtëpinë e Bardhë për të njoftuar se shorti për Kupën e Botës 2026 do të mbahet në Uashington në dhjetor. Shefi i FIFA-s, Gianni Infantino, iu bashkua Trumpit në shpalljen e këtij njoftimi ndërsa Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Meksika po përgatiten për të organizuar ngjarjen.

Trump gjithashtu sugjeroi se Putini mund të marrë pjesë në Kupën e Botës. Duke mbajtur një fotografi që tha se Putini ia kishte dërguar pas samitit të tyre në Alaskë javën e kaluar, Trump tha se kreu i Kremlinit “do të dojë shumë të jetë aty” dhe “mund të vijë e mund të mos vijë”, në varësi të rezultatit të përpjekjeve për paqe në Ukrainë.

Ekipeve ruse u është ndaluar të marrin pjesë në Kupën e Botës dhe në gara të tjera ndërkombëtare sportive për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Më herët, më 22 gusht, Trump tha se Putini dhe Zelensky ishin si “vaji dhe uthulla” dhe nuk ishte e qartë nëse do të zhvillohej një takim trepalësh.
“Do të shohim nëse do të duhet të jem aty apo jo”, tha ai. “Do të preferoja të mos isha, do të doja që ata të mbanin një takim dhe të shihnin se si mund t’ia dilnin”, njofton rel.

Trump gjithashtu tha se ishte “i pakënaqur” për një sulm rus të kryer nga Rusia më 21 gusht ndaj një fabrike, në pronësi amerikane, në Ukrainë. Disa punëtorë u plagosën në sulmin ndaj fabrikës, që është një nga investimet më të mëdha amerikane në Ukrainë.

Më herët gjatë kësaj jave pas takimit me Zelenskyn dhe udhëheqësit evropianë në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se kishte nisur aranzhimet për një takim Putin-Zelensky pas një bisede telefonike që zhvilloi me udhëheqësin rus.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, duket se mohoi planet e tilla, duke i thënë transmetuesit amerikan NBC se nuk ka agjendë për një samit të tillë.

“Putini është i gatshëm të takohet me Zelenskyn kur të jetë gati agjenda për një samit. Dhe kjo agjendë nuk është aspak gati”, tha ai.

Kjo deklaratë pasqyron qëndrimin e Moskës se një takim i tillë është i pamundur nëse nuk plotësohen disa kushte.

Më 22 gusht, Zelensky tha se Rusia po bënë gjithçka që të pamundësojë një takim të tij me Putinin. Ai përsëriti thirrjen drejtuar Putinit që të zhvillohet një takim i tillë, duke thënë se është mënyra e vetme për të negociuar për përfundimin e luftës.

MARKETING