Trump: Do të largohemi si negociator, nëse na vështirësojnë punën Ukraina dhe Rusia

Presidenti amerikan, Donald Trump ka folur me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë.
Ai u pyet se çfarë kërkon të shohë nga Ukraina dhe Rusia në lidhje me negociatat për paqen.
“Dua të shoh entuziazëm për ta përfunduar [luftën]. Mendoj se po e shoh atë entuziazëm – mendoj se e shoh nga të dyja palët”, deklaroi lideri amerikan.
Ai ka deklaruar të premten para gazetarëve se nëse Rusia dhe Ukraina e vështirësojnë arritjen e marrëveshjes së paqes, atëherë Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga procesi negociator.
“Nëse për ndonjë arsye njëra nga të dyja palët e bën të vështirë vazhdimin e procesit… atëherë ne thjesht do të tërhiqemi dhe nuk do të marrim pjesë. Shpresojmë se nuk do të duhet ta bëjmë këtë”, ka thënë 78-vjeçari.
Kur u pyet nëse mendonte se rusët po mashtronin SHBA-në, ai shtoi “askush nuk po na mashtron”.
Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2022 duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale. /Telegrafi/