Trump do të kërkojë hetim mbi lidhjet e dyshuara të ish-presidentit Clinton dhe figurave të tjera të shquara me Epstein

Trump do të kërkojë hetim mbi lidhjet e dyshuara të ish-presidentit Clinton dhe figurave të tjera të shquara me Epstein

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë të ditur se do të kërkojë hetime mbi lidhjet midis abuzuesit seksual të ndjerë Jeffrey Epstein dhe disa figurave të shquara, përfshirë ish-presidentin Bill Clinton, transmeton Anadolu.

Trump përsëriti akuzën e tij se Demokratët po e shtyjnë “Mashtrimin Epstein” për të devijuar vëmendjen nga “dështimet,” përfshirë mbylljen rekord të qeverisë federale që përfundoi më herët këtë javë, me disa ligjvënës demokratë që mbështetën një projekt-ligj shpenzimesh të propozuar nga republikanët.

“Do t’i kërkoj Prokurores së Përgjithshme Pam Bondi dhe Departamentit të Drejtësisë, së bashku me patriotët tanë të mëdhenj në FBI, të hetojnë përfshirjen dhe marrëdhënien e Jeffrey Epstein me Bill Clinton, Larry Summers, Reid Hoffman, J.P. Morgan, Chase dhe shumë njerëz e institucione të tjera”, tha ai.

Duke e krahasuar çështjen me akuzat se ish-zyrtarë kërkuan ta lidhnin atë me ndërhyrjen ruse në zgjedhje, Trump pretendoi se “të dhënat tregojnë se këta burra dhe shumë të tjerë kanë kaluar një pjesë të madhe të jetës së tyre me Epstein”.

Komentet e Trump-it vijnë pas publikimit të më shumë se 20 mijë faqe dokumentesh nga pasuria e Epstein, përfshirë posta elektronike ku pretendohet se kishte informacion komprometues për presidentin Trump.

Publikimi ndodhi pasi një peticion në Kongres arriti pragun e 218 nënshkrimeve, duke detyruar një votim në Dhomën e Përfaqësuesve për publikimin e të gjitha dosjeve të mbetura të Epstein-it.

Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij në një burg të New York në vitin 2019, ndërsa ishte në pritje të gjyqit. Ai më herët kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar në vitin 2008 për rekrutimin e një të miture për prostitucion.

Të mbijetuarit e tij kanë kërkuar përgjegjësi dhe mbështetje ligjore për t’u përballur me abuzuesit e tyre dhe për të arritur drejtësi.

MARKETING