Trump dërgon delegacion të Pentagonit në Ukrainë për rifillimin e bisedimeve të paqes

Trump dërgon delegacion të Pentagonit në Ukrainë për rifillimin e bisedimeve të paqes

Një delegacion i nivelit të lartë nga Pentagoni është dërguar në Ukrainë nga presidenti amerikan Donald Trump, në përpjekje për të rifilluar negociatat e paqes që synojnë ndalimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, thonë raportimet në media, transmeton Anadolu.

I udhëhequr nga Sekretari i Ushtrisë Dan Driscoll dhe i shoqëruar nga dy gjeneralë katëryjorë, delegacioni u dërgua në Ukrainë si pjesë e përpjekjeve të reja për të ringjallur bisedimet midis Kievit dhe Moskës, tha një zyrtar për “The Wall Street Journal” (WSJ).

Grupi ishte planifikuar të zhvillonte takime të mërkurën me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, zyrtarë të lartë qeveritarë, drejtues ushtarakë dhe përfaqësues të industrisë së mbrojtjes ndërsa Driscoll pritet të takojë edhe zyrtarë rusë në një moment të mëvonshëm.

Një zyrtar i lartë i administratës i ka thënë WSJ-së se vizita e Driscollit ka për qëllim të vlerësojë “faktet në terren” dhe të informojë Shtëpinë e Bardhë pas kthimit të tij. “Presidenti ka qenë i qartë se ka ardhur koha t’u jepet fund vrasjeve dhe të arrihet marrëveshje për t’i dhënë fund luftës”, ka thënë zyrtari.

Vendimi i Shtëpisë së Bardhë për t’i besuar këtë mision Driscollit, i cili kryesisht merret me trajnimin dhe pajisjen e ushtarëve amerikanë, pasqyron zhgënjimin nga nismat e mëparshme të dështuara dhe bindjen se Moska mund t’i përgjigjet më mirë të dërguarve me profil ushtarak, thuhet në lajmin e medias amerikane.

Plani për të dërguar Driscollin, i cili ka ndjekur Shkollën e Drejtësisë në Yale së bashku me nënpresidentin JD Vance, ka lindur gjatë një diskutimi mes Trumpit dhe Vanceit, ka thënë zyrtari për WSJ-në.

MARKETING