Trump: Askush nuk do të detyrohet të largohet nga Gaza

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se askush nuk do të detyrohet të largohet nga Gaza sipas planit të tij të armëpushimit, duke shtuar se marrëveshja është “plotësisht e finalizuar dhe e mbyllur”, raporton Anadolu.
“Askush nuk do të detyrohet të largohet. Është e kundërta… Jo, nuk kemi ndërmend të bëjmë diçka të tillë”, tha Trump, kur u pyet nga një gazetar nëse palestinezët do të detyrohen të largohen nga Gaza sipas marrëveshjes së propozuar nga SHBA-ja.
Trump tha se marrëveshja e armëpushimit në Gaza është finalizuar plotësisht dhe se planifikon të udhëtojë në Lindjen e Mesme këtë fundjavë.
“Mendoj se do të jetë diçka e shkëlqyer. Besoj se pengjet do të kthehen të hënën ose të martën. Me shumë mundësi do të jem atje. Shpresoj të jem atje. Po planifikojmë të nisim udhëtimin diku të dielën dhe mezi po e pres”, u tha ai gazetarëve në Zyrën Ovale.
Të mërkurën, Trump njoftoi se Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord për fazën e parë të planit të tij të armëpushimit për Gazën.
Më 29 shtator, ai prezantoi një plan armëpushimi me 20 pika për Gazën, që përfshin lirimin e të gjithë robërve izraelitë në këmbim të rreth 2.000 të burgosurve palestinezë, një armëpushim të përhershëm dhe tërheqje graduale të forcave izraelite nga i gjithë Rripi i Gazës.
Faza e dytë e planit parashikon krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës në Gaza pa pjesëmarrjen e Hamasit, formimin e një force sigurie të përbërë nga palestinezë dhe trupa nga vende arabe e islame, si dhe çarmatimin e Hamasit. Po ashtu, plani parashikon financim arab e islam për administratën e re dhe rindërtimin e Rripit, me pjesëmarrje të kufizuar të Autoritetit Palestinez.
Ndërsa shumica e vendeve arabe dhe myslimane e kanë mirëpritur planin, disa zyrtarë kanë deklaruar se shumë detaje në të kërkojnë diskutim dhe negociata për t’u zbatuar plotësisht.