Trump: Armë për NATO-n dhe ultimatum 50-ditor për Rusinë

Trump: Armë për NATO-n dhe ultimatum 50-ditor për Rusinë

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se armët që ShBA do t’i dërgojë NATO-s për të mbështetur Ukrainën në luftën kundër Rusisë do të përfshijnë sistemet raketore Patriot dhe bateritë përkatëse.

“Është një komplet i plotë me bateritë,” tha Trump të hënën, kur u pyet nëse do të dërgonte posaçërisht raketa Patriot, gjatë një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

“Disa prej tyre do të vijnë shumë shpejt, brenda ditëve… disa nga vendet që i kanë sistemet Patriot do të bëjnë ndërrim dhe do t’i zëvendësojnë me ato që kemi ne,” shtoi ai.

“Kjo do të thotë se Ukraina do të ketë në dispozicion një sasi të madhe pajisjesh ushtarake, si për mbrojtjen ajrore, ashtu edhe për raketa dhe municione,” u shpreh Rutte para gazetarëve.

Ky vendim konsiderohet si një nga hapat më të vendosur të administratës Trump ndaj Rusisë.

Kjo kthesë vjen vetëm disa ditë pasi Pentagoni ndaloi përkohësisht disa dërgesa për Ukrainën, duke përmendur shqetësime për uljen e stokut amerikan.

Por, me Trumpin që jep dritën jeshile për një paketë të re armësh duke përfshirë sistemet Patriot, raportet thonë se dërgesat mund të rinisin brenda pak ditësh.

Të hënën, Trump paralajmëroi gjithashtu Rusinë se do të vendosë tarifa “shumë të rënda” ndaj partnerëve të saj tregtarë të mbetur nëse nuk e zgjidh luftën në Ukrainë brenda 50 ditëve.

“Do të vendosim tarifa të dyta. Nëse nuk kemi një marrëveshje brenda 50 ditëve, është shumë e thjeshtë. Do të jenë 100 për qind, dhe kjo është e gjitha,” tha Trump para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti sugjeroi se këto tarifa mund të arrijnë në 100 për qind, megjithatë nuk është e qartë cilat produkte do të goditen.

Sipas dy burimeve që folën për faqen e lajmeve Axios, plani “ka të ngjarë të përfshijë raketa me rreze të gjatë veprimi që mund të godasin objektiva thellë brenda territorit rus, përfshirë edhe Moskën.”

Ky vendim vjen pasi presidenti rus Vladimir Putin ka refuzuar të ndalë ofensivën ushtarake në Ukrainë, pavarësisht presionit nga Trump për t’u përfshirë në bisedime paqeje, gjë që ka shkaktuar gjithnjë e më shumë zemërim dhe pakënaqësi nga ana e presidentit amerikan.

Moska gjithashtu ka lëshuar valë rekord sulmesh me dronë dhe raketa gjatë javëve të fundit, ndërsa sipas të dhënave të OKB-së, numri i civilëve ukrainas të vrarë apo plagosur në qershor ka arritur nivelet më të larta të tre viteve të fundit.

Trump fitoi zgjedhjet me premtimin se do t’i jepte fund luftërave, përfshirë edhe konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës.

Fillimisht kishte premtuar se do të tërhiqte mbështetjen amerikane për Kievin, por tani raportohet se presidenti është i gatshëm të ndajë armë me partnerët evropianë, të cilët pastaj do t’ia dorëzojnë ato Ukrainës.

“Sipas CNN, përmes shitjes së armëve ndaj kombeve evropiane dhe jo dorëzimit të drejtpërdrejtë Ukrainës, Trump synon të shmangë kritikat politike për ndryshimin e premtimit elektoral që ShBA-ja do të kishte një rol më të vogël në këtë luftë shumëvjeçare.”

“Më mirë vonë se kurrë”

Në Kiev, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy të hënën përshëndeti një “takim produktiv” me të dërguarin e posaçëm të Trumpit, Keith Kellogg.

“Diskutuam për rrugën drejt paqes dhe çfarë mund të bëjmë konkretisht së bashku për ta afruar atë,” shkroi Zelensky pas takimit në rrjetet sociale.

“Kjo përfshin forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës, prodhimin dhe blerjen e përbashkët të armëve mbrojtëse në bashkëpunim me Evropën,” shtoi ai.

Zelensky gjithashtu tha se ishte “mirënjohës ndaj presidentit Trump për sinjalet e rëndësishme të mbështetjes dhe vendimet pozitive për të dyja vendet tona”, duke iu referuar, siç duket, premtimit për raketat e reja Patriot.

I pyetur se çfarë pret Evropa nga njoftimi i Trumpit më vonë gjatë ditës, një burim nga qeveria gjermane i tha agjencisë AFP: “Në terma konkretë, mendoj se kjo do të thotë që nga ana e ShBA-së do të jepen miratime për dorëzimin e disa armëve.”

“Ka një pritshmëri nga ana amerikane që do të ketë kontribute të konsiderueshme financiare nga pala evropiane,” shtoi burimi.

Një ushtar ukrainas i vendosur në lindjen e shkatërruar nga lufta, i cili u identifikua me nofkën “Grizzly”, mirëpriti premtimin e Trumpit për sisteme të reja mbrojtëse ajrore.

“Më mirë vonë se kurrë,” tha ai për AFP-në.

Ndërkohë, forcat ruse deklaruan të hënën se kanë kapur territore të reja në lindje të Ukrainës, duke marrë nën kontroll dy fshatra – një në rajonin e Donetskut dhe një tjetër në rajonin e Zaporizhjës.

Zelensky ka propozuar ndërkohë një riformatim të madh politik, duke rekomanduar ministren e Ekonomisë, Yulia Svyrydenko, si kryeministren e re të vendit, për të “rifreskuar ndjeshëm” punën e qeverisë.

Svyrydenko ka udhëhequr negociatat për marrëveshjen mbi mineralet mes SHBA-së dhe Ukrainës, që kishte shkaktuar tensione midis Zelenskyt dhe Trumpit pasi republikani u rikthye në Shtëpinë e Bardhë.

MARKETING