Trump akuzon Kinën se po shmang sojën amerikane, kërcënon me masa si kundërpërgjigje

Presidenti amerikan Donald Trump akuzoi të martën Kinën se “qëllimisht” ka shmangur blerjen e sojës amerikane dhe paralajmëroi ndërprerje të tregtisë me Pekinin për vajin e gatimit dhe mallra të tjera si kundërpërgjigje, transmeton Anadolu.
“Besoj se fakti që Kina nuk po blen qëllimisht sojën tonë, duke u shkaktuar vështirësi bujqve tanë, është një akt armiqësor ekonomik”, shkroi Trump në platformën e tij sociale Truth Social.
Ai tha se Washingtoni po shqyrton mundësinë e ndërprerjes së tregtisë me Pekinin për vajin e gatimit dhe “elemente të tjera tregtare, si kundërpërgjigje”.
“Për shembull, ne mund ta prodhojmë shumë lehtë vajin e gatimit vetë, nuk kemi nevojë ta blejmë nga Kina”, shtoi ai.
Eksportet amerikane të sojës drejt Kinës ranë nga 17,9 miliardë dollarë në vitin 2022 në 12,2 miliardë dollarë në vitin 2024, sipas të dhënave të Shërbimit të Tregtisë së Jashtme të Departamentit amerikan të Bujqësisë.
Trump tha më herët se çështja e sojës do të jetë në rend dite në takimin e mundshëm të tij me presidentin kinez Xi Jinping.
Të dielën, Trump deklaroi se tensionet tregtare me Kinën do të zgjidhen, duke dërguar një mesazh qetësues vetëm disa ditë pasi kërcënoi me tarifa 100 për qind pas vendimit të Pekinit për të zgjeruar kufizimet e eksportit të mineraleve të rralla. “Mos u shqetësoni për Kinën, gjithçka do të shkojë mirë”, shkroi ai në Truth Social.
Nga ana tjetër, Kina paralajmëroi të martën SHBA-në kundër qasjes me “kërcënime dhe fjalë” dhe i bëri thirrje Washingtonit të bashkëpunojë me Pekinin për të rikthyer stabilitetin në marrëdhëniet ekonomike.