Tre të vrarë dhe 14 të plagosur nga të shtënat në Teksas
Tre persona, përfshirë sulmuesin, u vranë dhe 14 të tjerë u plagosën nga të shtënat jashtë lokalit Buford’s Backyard Beer Garden, përgjatë Sixth Street, një zonë e njohur e jetës së natës në Austin, Teksas.
Shefja e policisë, Lisa Davis, sipas AP tha se i dyshuari kaloi disa herë me automjet pranë barit, më pas qëlloi me pistoletë nga SUV-i drejt klientëve dhe më vonë doli me pushkë, duke qëlluar kalimtarët, derisa u vra nga policia.
Byroja Federale e Hetimeve (FBI) njoftoi se rasti po hetohet si akt i mundshëm terrorizmi për shkak të disa “indikatorëve” të gjetur te autori dhe në automjetin e tij, por theksoi se është ende herët për përfundime.
Ngjarja ndodhi pak para orës 02:00, vetëm disa milje larg Universitetit të Teksasit.
Ndërkohë, në Cincinnati të Ohajos, nëntë persona u plagosën nga të shtënat në një klub nate, por asnjëri nuk është në rrezik për jetën, sipas policisë lokale.

