Tre palestinezë të plagosur në sulmin e kolonëve të paligjshëm në Bregun Perëndimor të pushtuar
Tre palestinezë u plagosën sot pasi kolonë të armatosur dhe të paligjshëm izraelitë hapën zjarr gjatë një sulmi në një fshat në Bregun Perëndimor të okupuar, raportoi media lokale, transmeton Anadolu.
Një grup kolonësh të armatosur dhe të paligjshëm, të mbështetur nga forcat izraelite, sulmuan banorët pranë fshatit Al-Minya, në juglindje të Betlehemit në pjesën jugore të Bregut Perëndimor, duke qëlluar me plumba të vërtetë dhe duke lënduar tre persona në gjymtyrët e poshtme, tha Zayed Kawazbeh, kryetar i këshillit të fshatit, për agjencinë zyrtare të lajmeve Wafa.
Të plagosurit janë dërguar në spital për trajtim mjekësor.
Kawazbeh tha se kolonët e paligjshëm gjithashtu sollën bagëtinë e tyre për të kullotur mes ullinjve palestinezë, duke e përshkruar këtë veprim si “provokim të qëllimshëm për të shpërngulur banorët dhe për të uzurpuar tokat pranë ngulimeve të afërta kolone”.
Ai shtoi se forcat izraelite ishin të pranishme në vendngjarje dhe u siguruan mbrojtje kolonëve të paligjshëm, gjë që rriti frikën dhe tensionin mes banorëve të fshatit.
Sulmi ndodhi pak kohë pasi kolonët e paligjshëm sulmuan palestinezë që po mblidhnin ullinj në fshatin Burin, në jug të Nablusit, duke sulmuar disa prej tyre.
Sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), sezoni aktual i vjeljes së ullinjve në Bregun Perëndimor të okupuar ka shënuar nivelin më të lartë të sulmeve nga kolonët e paligjshëm që nga viti 2020.
Agjencia shtoi se janë regjistruar 126 sulme në 70 qytete dhe fshatra palestineze, ndërsa mbi 4.000 ullinj dhe fidanë janë shkatërruar.
Sulmet ndodhën ndërsa dhuna e kolonëve ndaj fermerëve palestinezë është rritur ndjeshëm gjatë sezonit vjetor të vjeljes së ullinjve, i cili zakonisht fillon në mes të tetorit çdo vit.
Sipas Komisionit zyrtar për Rezistencë ndaj Kolonizimit dhe Murit, 259 sulme ndaj palestinezëve janë kryen nga ushtria izraelite dhe kolonët e paligjshëm gjatë sezonit të vjeljes së ullinjve.
Sulmet izraelite janë intensifikuar në gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar që nga tetori 2023, duke vrarë mbi 1.062 palestinezë dhe duke plagosur 10.300 të tjerë, sipas të dhënave palestineze.
Në një opinion historik të korrikut të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli pushtimin izraelit të territorit palestinez të paligjshëm dhe kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve kolone në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.

