Tre deputetë të lënduar nga përplasja fizike dhe tymi në Kuvendin e Serbisë

Tre deputetë të lënduar nga përplasja fizike dhe tymi në Kuvendin e Serbisë

Të paktën 3 ligjvënës janë lënduar të martën, njëri prej tyre në gjendje të rëndë, si pasojë e skenave kaotike në parlamentin e Serbisë, gjatë të cilave u hodhën bomba tymi dhe flakë.

Ligjvënësit ishte planifikuar të votonin një ligj që do të rriste fondet për arsimin universitar, por partitë e opozitës këmbëngulën se seanca ishte e paligjshme dhe fillimisht duhet të konfirmonin dorëheqjen e kryeministrit Millosh Vuçeviq dhe qeverisë së tij, raporton AP.

Kaosi parlamentar ka nisur rreth një orë pasi ka filluar seanca, teksa opozita mbante një pankartë ku shkruhej “Serbia u ngrit që regjimi të bjerë!”.

Pamjet e publikuara nga salla e kuvendit treguan fillimisht një përplasje mes ligjvënësve dhe më pas flakët dhe bombat tymi duke u hedhur. Mediat serbe kanë raportuar se janë hedhur edhe vezë dhe shishe uji.

Zyrtarët më vonë kanë thënë se tre persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e trazirave.

Kryetarja e parlamentit, Ana Brnabiq ka akuzuar opozitën si një “bandë terroriste”.

Ajo ka thënë se njëri nga deputetët e lënduar është në gjendje të rëndë.

Incidenti pasqyron një krizë të thellë politike në vendin ballkanik, ku protestat mujore kundër korrupsionit kanë tronditur qeverinë populiste.

Vuçeviq ka dhënë dorëheqjen nga posti në janar pasi autoritetet u përballën me protesta për shembjen në nëntor të një tende betoni në veri të Serbisë, që ka lënë të vdekur 15 njerëz, dhe për të cilin kritikët fajësuan korrupsionin e shfrenuar.

Parlamenti duhet të konfirmojë dorëheqjen e kryeministrit që ajo të hyjë në fuqi.

MARKETING