TikTok gjobitet me 530 milionë euro për shkelje të rregullave për mbrojtjen e të dhënave personale

TikTok gjobitet me 530 milionë euro për shkelje të rregullave për mbrojtjen e të dhënave personale

TikTok është gjobitur me 530 milionë euro (601 milionë dollarë) për shkelje të rregullave të BE-së për mbrojtjen e të dhënave personale, tha sot rregullatori irlandez për mbrojtjen e të dhënave personale.

Komisioni Irlandez i Mbrojtjes së të Dhënave (DPC) tha se TikTok shkeli Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR) të Bashkimit Evropian duke ndarë të dhënat e përdoruesve evropianë me Kinën dhe shkeli kërkesat e transparencës së bllokut.

TikTok ende mund të apelojë dënimin, i cili përveç gjobës kërkon që ajo të përshtatë përpunimin e të dhënave në përputhje me rregullat e BE-së brenda gjashtë muajve.

”Gjatë hetimit, aplikacioni i ndarjes së videove tha se nuk ruante të dhëna përdoruesish nga Evropa në servera në Kinë, por në prill pranoi se kjo kishte ndodhur në një masë të kufizuar”, tha DPC.

Zëvendëskryetari i DPC, Graham Doyle, tha se TikTok nuk ishte në gjendje të garantonte që të dhënat nga përdoruesit evropianë të aksesuara nga punonjësit në Kinë mbroheshin në të njëjtën mënyrë siç mbroheshin në BE, siç kërkohej nga GDPR.

Kompania mëmë e TikTok, ByteDance, është e vendosur në Kinë.

MARKETING