Thaçi nga Haga: Procesi gjyqësor rrezikon të shtrembërojë historinë e Kosovës
MARKETING
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë një intervistë nga Haga për gazetën e njohur gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung, ku ka deklaruar se ekziston rreziku që procesi gjyqësor ndaj tij dhe ish-krerëve të UÇK-së të ndikojë në shtrembërimin e kuptimit historik të ngjarjeve të viteve ’90 në Kosovë.
MARKETING
Në një përgjigje të dhënë nga Haga, Thaçi theksoi se ngjarjet e asaj kohe janë të dokumentuara mirë nga raporte ndërkombëtare, organizata dhe institucione gjyqësore, duke shtuar se nuk bëhet fjalë për interpretim, por për “fakte të konsoliduara”.
Thaçi theksoi se procesi gjyqësor nuk duhet të shfrytëzohet për të rishkruar historinë apo për të minimizuar vuajtjet reale të popullit të Kosovës gjatë luftës.
“Ky është një shqetësim legjitim i ndarë nga shumica dërrmuese e njerëzve në Kosovë dhe më gjerë. Ngjarjet e viteve ’90 janë të dokumentuara mirë. Nuk është çështje interpretimi—është pjesë e fakteve të konsoliduara, të regjistruara përmes dokumenteve diplomatike dhe raporteve të organizatave ndërkombëtare, gjykatave dhe vëzhguesve në terren. I ashtuquajturi ‘prova’ e fabrikuar gjatë epokës së Millosheviçit nuk duhet të përdoret në asnjë gjykatë dhe as të trajtohet si fakt i vërtetuar. Shumë nga ato që u fabrikuan shërbyen për të ndikuar, jo për të treguar të vërtetën. Nëse e pranojmë këtë, nuk do të ishte çudi nëse pretendimet dhe fabrikimet e ardhshme të Putinit do të pranohen si të vërteta dhe do të përdoren kundër presidentit Zelenski dhe rezistencës ukrainase. Në të kundërt, Kosova nuk ka sulmuar kurrë, në asnjë rrethanë, asnjë pëllëmbë të territorit serb. Duhet të kujtojmë se populli i Kosovës po luftonte kundër shtypjes; ai po luftonte për të drejtën e tij për të ekzistuar. Bëhej fjalë për mbijetesën e tij si popull. Ky proces nuk duhet të përdoret për të rishkruar historinë dhe për të zvogëluar vuajtjet reale të një populli”, ka deklaruar Thaçi për Frankfurter Allgemeine Zeitung.
Ish-presidenti Thaçi ka folur edhe për bombardimet e NATO-s në vitin 1999 për të cilat tha se erdhën në ndihmën tonë sepse NATO e kuptoi kush ishim, çfarë përfaqësonim dhe çfarë po përjetonim nën Millosheviçin.
“Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 u udhëhoq nga vlerat themelore perëndimore të lirisë, drejtësisë, të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së jetës njerëzore. NATO erdhi në ndihmën tonë sepse e kuptoi kush ishim, çfarë përfaqësonim dhe çfarë po përjetonim nën Millosheviçin. Ata e panë gjendjen tonë. Në konferencën ndërkombëtare në Rambuje, Francë, në vitin 1999, delegacioni ynë pranoi paqen, ndërsa Serbia zgjodhi luftën, shtypjen dhe spastrimin etnik. Vendimi ynë pasqyroi përkushtimin tonë ndaj dialogut dhe parimeve demokratike. Më vjen keq që Madeleine Albright, Richard Holbrooke, Robert Dole dhe të tjerë nuk janë më gjallë—ata do të ishin dëshmitarë të jashtëzakonshëm në këtë gjykatë. Ata e kuptonin kontekstin dhe synimet e popullit të Kosovës, si dhe vendosmërinë e Millosheviçit për spastrimin etnik. Serbia e sulmoi Kosovën dhe populli i Kosovës rezistoi. Pa rezistencën e popullit të Kosovës dhe pa ndërhyrjen e NATO-s, Kosova nuk do të ekzistonte sot. Shqiptarët e Kosovës nuk do të ekzistonin. Populli i Kosovës bëri atë që çdo popull i shtypur do të bënte përballë një rreziku ekzistencial”, u shpreh Thaçi.

