Testameni i përlotshëm i gazetarit monumental të Al Jazeera-s në Gaza

“Nëse këto fjalë të mia ju arrijnë, dijeni se Izraeli ia doli të më vriste dhe të heshtte zërin tim”, thuhet në fillim të testamentit të Anas al-Sharif, gazetarit më të guximshëm dhe më të famshëm palestinez, korrespondentit të Al Jazeera-s nga Gaza, i cili u vra mbrëmë nga ushtria kriminale izraelite së bashku me kolegun e tij Mohammed Qreiqeh dhe disa kameramanë.
Testamenti i Al-Sharif, i botuar pas martirizimit të tij, zbuloi angazhimin e tij të palëkundur ndaj parimit të përcjelljes së së vërtetës, pavarësisht kostos. Al-Sharif dhe Qureiqa u vranë pasi ushtria izraelite goditi një tendë shtypi jashtë portës kryesore të Spitalit al-Shifa.
Al-Sharif shkroi në testamentin e tij: “Allahu e di që unë kam investuar të gjithë përpjekjen dhe forcën time për të qenë një mbështetje dhe një zë për popullin tim”, duke theksuar se ai kurrë nuk hezitoi të përcjellë të vërtetën “pa shtrembërim ose falsifikim”.
Al-Sharif ishte një nga të paktët gazetarë që mbetën në Rripin verior të Gazës për të mbuluar agresionin dhe luftën e urisë. Pikërisht për këtë arsye ushtria izraelite kreu një fushatë të gjerë duke njoftuar vrasjen e tij.
Në testamentin e tij, Al-Sharif e përshkroi Palestinën si “xhevahiri dhe kurora e myslimanëve”, rrahjet e zemrës së çdo njeriu të lirë. Ai bëri thirrje për besnikëri ndaj popullit dhe fëmijëve të saj, të cilëve iu mohua mundësia për të ëndërruar ose për të jetuar në siguri pasi trupat e tyre u hodhën në erë nga bombat dhe raketat izraelite.
Al-Sharif i dha një lamtumirë prekëse familjes së tij, duke përmendur vajzën e tij Sham, të cilën donte ta shihte të rritej, djalin e tij Salah, të cilin donte ta mbështeste, nënën e tij, lutjet e së cilës ishin fortesa dhe drita e rrugës së tij, dhe gruan e tij, e cila u përball me luftën me vendosmërinë dhe durimin e një peme ulliri.
Al-Sharif e përfundoi testamentin e tij duke shprehur kënaqësinë e tij me caktimin e Allahut, i palëkundur në parimet e tij deri në momentin e fundit, duke u lutur që gjaku i tij të ishte një dritë që do të ndriçonte rrugën e lirisë për popullin e tij dhe duke pohuar se e kishte përmbushur premtimin e tij.
Testamenti i plotë:
Ky është testamenti dhe mesazhi im i fundit.
Nëse këto fjalë të mia ju arrijnë, dijeni se Izraeli ka arritur të më vrasë dhe të ma shuajë zërin.
Paqja, mëshira dhe bekimi i Allahut qoftë mbi ju.
Allahu e di se kam dhënë çdo mund dhe forcë që kisha për të qenë mbështetje dhe zë për popullin tim, që nga momenti kur hapa sytë për herë të parë nëpër rrugicat e kampit të refugjatëve Jabalia. Shpresa ime ishte që Allahu ta zgjaste jetën time derisa të kthehesha bashkë me familjen dhe të dashurit e mi në vendlindjen tonë të parë, qytetin e pushtuar Askalon “Majdal”. Por dëshira e Allahut mbizotëroi dhe vendimi i Tij u plotësua.
Kam jetuar dhimbjen në çdo hollësi të saj dhe kam shijuar humbjen e pikëllimin herë pas here. Megjithatë, asnjë ditë nuk hezitova ta përcillja të vërtetën ashtu siç është, pa shtrembërim e pa falsifikim, me shpresën që Allahu të jetë dëshmitar ndaj atyre që heshtën, atyre që pranuan vrasjen tonë dhe atyre që na rrethuan frymën, pa u lëkundur nga trupat e fëmijëve dhe grave tona, dhe që nuk e ndalën masakrën që populli ynë po përjeton prej më shumë se një viti e gjysmë.
Ju lë amanet Palestinën, perlën e kurorës së myslimanëve, zemrën që rreh në çdo njeri të lirë të botës.
Ju lë amanet popullin e saj, fëmijët e saj të shtypur që nuk patën mundësi të ëndërronin ose të jetonin në siguri e paqe,
trupat e pastër të të cilëve u shkatërruan nga mijëra tonë bomba e raketa izraelite, u copëtuan dhe mbetjet e tyre u shpërndanë mbi mure.
Ju këshilloj të mos lejoni që zinxhirët t’ju heshtin apo kufijtë t’ju ndalin. Bëhuni ura drejt çlirimit të tokës dhe popullit të saj, derisa të lindë dielli i dinjitetit dhe lirisë mbi atdheun tonë të grabitur.
Ju lë amanet të kujdeseni për familjen time,
ju lë amanet dritën e syve të mi, vajzën time të dashur Sham, të cilën koha nuk ma dha mundësinë ta shoh të rritet ashtu siç kisha ëndërruar.
Ju lë amanet djalin tim të dashur Salah, të cilin dëshiroja ta mbështes dhe të jem shok e udhërrëfyes deri sa të forcohej, për të marrë barrën nga unë dhe për të vazhduar misionin.
Ju lë amanet nënën time të dashur, lutjet e së cilës më bekuan që të arrija deri këtu. Lutjet e saj ishin fortesë për mua, dhe drita e saj ishte udha ime.
Lus Allahun t’i dhurojë zemrës së saj durim dhe ta shpërblejë për mua me shpërblimin më të mirë.
Gjithashtu, ju lë amanet shoqen time të jetës, bashkëshorten time të dashur, Umm Salah Bayan, të cilën lufta e ndau nga unë për ditë e muaj të tërë. Megjithatë, ajo mbeti e palëkundur, si trungu i një ulliri që nuk thyhet, e durueshme dhe e mbështetur në Allahun, duke e mbajtur përgjegjësinë në mungesën time me tërë forcën dhe besimin.
Ju këshilloj të mblidheni rreth tyre dhe të jeni mbështetja e tyre pas Allahut, të Madhit e të Lartit.
Nëse vdes, vdes i palëkundur në parimet e mia, duke dëshmuar para Allahut se jam i kënaqur me vendimin e Tij, i gatshëm për ta takuar Atë dhe i sigurt se ajo që është tek Allahu është më e mirë dhe më e përhershme.
O Allah, më prano mes dëshmorëve, më fal mëkatet e mia të shkuara dhe të ardhshme, dhe bëje gjakun tim dritë që ndriçon rrugën e lirisë për popullin dhe familjen tim.
Më falni nëse kam mangësi dhe lutuni për mëshirë për mua, sepse unë e mbajta besën time dhe nuk ndryshova as u luhata.
Mos e harroni Gazën…!
Dhe mos më harroni në lutjet tuaja të drejta për falje dhe pranim!
Anas Jamal Al-Sharif
06.04.2025