Tesla paditet për shkelje të privatësisë së klientëve

Tesla paditet për shkelje të privatësisë së klientëve

Një pronar i një veture Tesla në Kaliforni, e ka ngritur një padi grupore ndaj prodhuesit të veturave elektrike, duke e akuzuar atë për shkelje të privatësisë së klientëve, raportoi të dielën Reuters.

Padia në Gjykatën e Qarkut të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Distriktin Verior të Kalifornisë ndodhi pasi Reuters raportoi të enjten se grupe punonjësish të Teslas shpërndanë privatisht përmes një sistemi të brendshëm mesazhesh, video dhe imazhe të regjistruara nga kamerat e veturave të klientëve midis viteve 2019 dhe 2022.

Padia, e ngritur nga Henry Yeh, një banor i San Franciskos, i cili zotëron Modelin Y të Teslas, pretendon se punonjësit e kësaj kompanie ishin në gjendje t’i përdornin imazhet dhe videot për “argëtimin e tyre pa shije dhe poshtërimin e atyre që ishin regjistruar në mënyrë të fshehtë”.

Në padi thuhet se sjellja e Teslës është skandaloze dhe shumë fyese.

Padia i kërkon gjykatës të urdhërojë Teslan të marrë përgjegjësi për sjelljen e saj të gabuar, duke përfshirë shkeljen e privatësisë së klientëve dhe të tjerëve, dhe të rikuperojë dëmet aktuale dhe ndëshkuese.

MARKETING