Terror policor i paparë kundër qytetarëve të Novi Sadit, Vuçiq fajëson evropianët për protestat

Protesta paqësore e mijëra njerëzve në kryqëzimin pranë rrethrrotullimit në Novi Sad të premten në mbrëmje u shndërrua në dhunë dhe represion policor siç nuk mbahet mend ndonjëherë në atë qytet.
Protesta u bë e dhunshme kur studentët dhe qytetarët e mbledhur arritën tek Fakulteti i Filozofisë, përpara të cilit policia ndodhet tash dhjetë ditë.
Në stilin e tij të zakonshëm, për të disatën herë, presidenti Aleksandar Vuçiq deklaroi se protestuesit “tentuan destabilizimin e Serbisë” dhe se bëhej fjalë për “ndërhyrje nga jashtë”, duke akuzuar “plehrat evropiane”.
“Jam mirënjohës për përfaqësuesit e Parlamentit Evropian, nuk di nga cila parti janë, disa plehra janë mbledhur atje, që na treguan se ku e kanë vendin dhe si duhet të luftojmë kundër tyre… Shkoni rrënojeni vendin tuaj, mos e rrënonin Serbinë. Plehra të ndyrë. Jo vetëm që jeni plehra, por jeni edhe më keq se aq…”
Situata e tensionuar vazhdoi edhe pas mesnate, kryesisht pranë godinës së rektoratit ku ishin fshehur qytetarët pas ndërhyrjes së policisë.
Brutaliteti i policisë u dëshmua edhe nga një video, në të cilën një pjesëtar i xhandarmërisë ia merr nga dora telefonin një studenteje për të mos lejuar që ajo të filmonte çfarë po ndodhte brenda ndërtesës.
Sipas Nova.rs, policia të premten në mbrëmje në Novi Sad ka goditur qytetarët me shkopinj gome, ka hedhur bomba zhurmuese dhe gaz lotsjellës ndaj protestuesve. Nga sasia e madhe e gazit, edhe disa policë janë ndjerë keq, duke hequr maskat dhe duke u ulur në gjunjë.