Tensionet në Karaibe, Maduro thotë se SHBA-ja “po shpik luftë të re të përjetshme”
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, tha të premten se SHBA-ja po “shpik një luftë të re të përjetshme”, mes sulmeve gjithnjë e më të shpeshta ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe, transmeton Anadolu.
“Populli i Shteteve të Bashkuara e di – ata po shpikin një luftë të re të përjetshme”, tha Maduro në Karakas.
“Ata premtuan se nuk do të përfshiheshin më në asnjë luftë tjetër, e tani po shpikin një luftë që ne do ta parandalojmë. Si? Duke mobilizuar popujt e Amerikës së Jugut”, shtoi ai.
Maduro theksoi se në Venezuelë nuk bëhet prodhimi i gjetheve së kokas dhe akuzoi SHBA-në se po e sulmon vendin e tij me akuza të ekzagjeruara dhe të pabazuara.
Së fundmi, presidenti venezuelas njoftoi se vendi i tij ka vendosur 5.000 raketa kundërajrore ruse të tipit “Igla-S” për të forcuar kapacitetet e mbrojtjes ajrore.
Kjo deklaratë erdhi në një kohë kur SHBA-ja ka dislokuar forca ushtarake në Karaibe, veprim që Karakasi e sheh si kërcënim të drejtpërdrejtë me synim “ndryshimin e regjimit”.

