Teherani sulmon Tel Avivin, godet aeroportin në Azerbaixhan, NATO mbledh Këshillin e Atlantikut
Konflikti i armatosur në Lindjen e Mesme është futur sot në ditën e pestë që nga sulmi i parë i Izraelit dhe SHBA-së ndaj Iranit.
Gjatë natës Tel Avivi u shënjestrua 3 herë nga raketat balistike iraniane. Sulmet nga Teherani nuk munguan as në Jerusalem.
Ndërkohë numri i viktimave nga anija e fundosur iraniane afër brigjeve të Sri Lankës ka shkuar në 87, ndërsa 61 persona janë ende të zhdukur.
Sakaq pas sulmit me dron në bazën britanike RAF në Qipro, autoritetet vendase kanë rritur ndjeshëm masat mbrojtëse në rast të një sulmi tjetër nga Teherani.
Rreth një mijë anije janë bllokuar në Gjirin Persik dhe në ujërat përreth Ngushticës së Hormuzit. Sipas të dhënave të tregut të sigurimeve “Lloyd’s of London”, gjysma e anijeve të ndaluara janë cisterna nafte ose transportues gazi. Vetëm vlera e trupit dhe sistemeve në bord, pa përfshirë ngarkesën, llogaritet të kalojë 25 miliardë dollarë.
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, deklaroi se SHBA i ka kërkuar Ukrainës ndihmë për t’u mbrojtur nga dronët iranianë në Lindjen e Mesme. Sipas tij, bashkëpunimi lidhet me përvojën që Ukraina ka fituar në përballjen me dronët e prodhuar në Iran, të cilët janë përdorur gjerësisht gjatë luftës në territorin ukrainas.
Ministri i Jashtëm i Iran, Abbas Araghchi, deklaroi se vendi i tij është i përgatitur të përballet me një sulm të mundshëm tokësor nga SHBA. Në një intervistë për NBC News, ai theksoi se Irani është i bindur se mund t’u kundërvihet forcave amerikane dhe paralajmëroi se një veprim i tillë do të kishte pasoja të rënda për Uashingtonin.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha në një intervistë me Axios se beson se përfshirja e tij personale në zgjedhjen e udhëheqësit të ardhshëm të Iranit është e nevojshme, duke përmendur si shembull përvojën e tij me Venezuelën.

