Të paktën 5 të vrarë nga sulmet me raketa në rajone të ndryshme të Ukrainës

Të paktën 5 të vrarë nga sulmet me raketa në rajone të ndryshme të Ukrainës

Të paktën pesë persona u vranë herët në mëngjes gjatë sulmeve ruse në qytete të ndryshme të Ukrainës, transmeton Anadolu.

“Deri më tani janë raportuar katër viktima. Këta janë katër të rritur, dy burra dhe dy gra. Ata ishin në shtëpi kur ra raketa. Mbetjet ende janë duke u pastruar. Mund të ketë të tjerë të bllokuar poshtë”, tha në llogarinë e tij në Telegram guvernatori i qytetit Lviv, Maksym Kozytskyy.

Duke theksuar se alarmi ajror në rajon zgjati për katër orë, Kozytskyy tha se tre ndërtesa banimi dhe tre makina u shkatërruan nga raketat.

Nga ana tjetër, guvernatori i qytetit Dnipro, Serhii Lysak, tha se një person në rajon u vra gjatë një sulmi me raketa në rrethet Dnipro, Pavlohrad, Kryvorizky dhe Nikopol.

“Infrastruktura energjetike dhe ndërmarrjet industriale u dëmtuan. Ka shkatërrime serioze. Shërbimet e urgjencës po punojnë në terren”, tha Lysak.

Raketat gjithashtu goditën kryeqytetin Kiev, si dhe qytetet Kharkiv dhe Odessa.

Guvernatori i qytetit Odessa, Maksym Marchenko, tha se një sulm masiv me raketa ka goditur një objekt energjetik, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë.

“Si rezultat i një sulmi masiv raketor, u goditën banesa dhe një zonë e infrastrukturës energjetike në rajon”, tha Marchenko në Telegram, duke shtuar se deri më tani nuk ka viktima.

Ndërkaq, ministri ukrainas i Energjisë, German Galushchenko, njoftoi se linja e fundit e energjisë që mbante termocentralin bërthamor Zaporizhzhia u dëmtua gjatë sulmeve në rajon. Ai theksoi se stacioni aktualisht funksionin me gjeneratorë me naftë.

Kompania kombëtare ukrainase e energjisë bërthamore ‘Energoatom’ gjithashtu njoftoi se funksionimi i termocentralit aktualisht i ndërprerë për të gjashtë herë që nga fillimi i luftës, me vetëm 10 ditë rezervë karburanti të mbetur për të operuar gjeneratorët.

“Numërimi mbrapsht ka filluar. Nëse furnizimi me energji të termocentralit nuk mund të rikthehet brenda këtij afati kohor, mund të ndodh një aksident me pasoja rrezatimi për të gjithë botën”, tha kompania.

Sipas shifrave të fundit të Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta Rusi-Ukrainë deri më tani ka vrarë të paktën 8.173 civilë dhe ka plagosur rreth 13.600 të tjerë.

MARKETING