Të paktën 4 të vdekur dhe gati 600 të plagosur nga shpërthimi masiv në portin në Iranin jugor

Të paktën katër persona kanë vdekur dhe gati 600 të tjerë janë plagosur në një shpërthim masiv në Portin Shahid Rajaee në Iranin jugor sot, thanë zyrtarët, transmeton Anadolu.
Në një intervistë televizive me transmetuesin shtetëror, Babak Mahmoudi, kreu i Organizatës së Ndihmës dhe Shpëtimit, konfirmoi numrin fillestar të viktimave nga shpërthimi.
Ai tha se personeli i emergjencës u dërgua menjëherë në vendngjarje për të transferuar të plagosurit në qendrat mjekësore dhe se ekipet e zjarrfikësve po punojnë për të shuar flakët.
Numri i të plagosurve është rritur vazhdimisht. Organizata Kombëtare e Emergjencave në përditësimin e saj të fundit tha se të paktën 560 persona janë plagosur dhe janë transferuar në spitalet në afërsi.
Presidenti Masoud Pezeshkian, në një deklaratë në X, shprehu keqardhje dhe ngushëllime për viktimat dhe lëshoi një urdhër për të hetuar shkaqet e incidentit.
Ai tha se ministri i Brendshëm Eskandar Momeni është dërguar në rajon si përfaqësuesi i tij special “për të kryer një hetim të plotë mbi dimensionet e incidentit, për të siguruar koordinimin e nevojshëm dhe për t’u kujdesur për gjendjen e të plagosurve”.
Më parë, Momeni udhëzoi autoritetet provinciale në Hormozgan të paraqisnin një raport paraprak mbi incidentin, tha zyra e tij në një deklaratë.
Zëvendëspresidenti i Parë i Iranit, Mohammad Aref, zhvilloi gjithashtu telefonata të veçanta me guvernatorin e provincës Hormozgan dhe kreun e Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe, duke lëshuar direktivat e nevojshme.
Administrata Doganore e Iranit urdhëroi të gjitha zyrat doganore të ndalonin dërgesat e eksportit dhe tranzitit të destinuara për Doganën Shahid Rajaee në Bandar Abbas deri në njoftim të mëtejshëm.
Sipas mediave lokale, një zjarr shpërtheu rreth orës 12:00 sipas kohës lokale (08:30 GMT) në Portin Shahid Rajaee, konkretisht në zonën e dokut të kontejnerëve. Raportimet fillestare sugjerojnë praninë e materialeve të ndezshme pranë vendit të shpërthimit.
Duke cituar dëshmitarë, mediat thanë se një zjarr i vogël u përhap shpejt dhe shkaktoi shpërthimin për shkak të nxehtësisë ekstreme prej 40 gradësh Celsius dhe akumulimit të substancave të ndezshme.
Kompania Kombëtare Iraniane e Rafinimit dhe Shpërndarjes së Naftës tha se shpërthimi dhe zjarri në port nuk lidhen me rafineritë, rezervuarët e deponimit të karburantit ose objektet e shpërndarjes dhe tubacionet e naftës të lidhura me kompaninë.
Porti me rëndësi strategjike, i vendosur në provincën jugore të Hormozgan, shtrihet rreth 15 kilometra në jugperëndim të portit Bandar Abbas në bregun verior të Ngushticës së Hormuzit në Gjirin Persik.