Të paktën 30 miliardë dollarë dëme nga mashtrimi me kriptomonedha në periudhën 2017-2022

Të paktën 30 miliardë dollarë dëme nga mashtrimi me kriptomonedha në periudhën 2017-2022

Sulmet kibernetike dhe mashtrimet që përfshijnë kriptovalutat kanë shkaktuar të paktën 30 miliardë dollarë dëme në mbarë botën që nga viti 2017, sipas një studimi të ri të publikuar të hënën, transmeton Anadolu.

Duke përmendur dobësitë teknike dhe mashtrimet me kriptovaluta si shkaqet kryesore të humbjeve, studiuesit në Complexity Science Hub me bazë në Vjenë dokumentuan një total prej 1.155 incidentesh kriminale të lidhura me kriptovalutat në periudhën 2017-2022.

Këto përfshinin 16 raste në vitin e parë të studimit, të cilat u përhapën në 435 raste në vitin 2022, sipas studimit, të kryer në bashkëpunim me Universitetin e Montrealit dhe të publikuar në faqen e internetit të Complexity Science Hub.

“Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk mund të ketë më shumë raste. Prandaj, të gjitha rezultatet tona janë minimale”, tha në një njoftim për media, Bernhard Haslhofer, kreu i grupit kërkimor Cryptofinance në Complexity Science Hub.

Humbja më e madhe e dokumentuar deri tani është 3.6 miliardë dollarë dhe mund të gjurmohet në Africrypt, platformë e centralizuar financiare me bazë në Afrikën e Jugut.

Themeluesit dyshohet se kanë kaluar në ilegalitet me 3.6 miliardë dollarë bitcoina në qershor 2021. Një projekt i ri nga Complexity Science Hub i quajtur “DeFi Trace” duhet ta bëjë më të lehtë gjurmimin e fondeve të vjedhura në të ardhmen.

Fokusi është kryesisht në financat e decentralizuara (DeFi), një formë financimi që nuk mbështetet në ofruesit e shërbimeve qendrore financiare si ndërmjetësit, këmbimoret ose bankat, por në vend të kësaj bazohet në blockchain, një teknologji financiare dixhitale që përdor libra të shumtë të përbashkëta të llogarive.

Në projektin e tyre të ri, studiuesit duan të zhvillojnë metoda që mundësojnë gjurmimin e automatizuar të flukseve të paligjshme të pagesave në sektorin DeFi.

Sponsorët e projektit përfshijnë 3 ministri austriake dhe autoritetet ligjzbatuese të shtetit gjerman të Bavarisë.

MARKETING