“Të gatshëm për dialog”, Kurti: Masat në pikat kufitare me Serbinë s’janë masa ekonomiko-tregtare

“Të gatshëm për dialog”, Kurti: Masat në pikat kufitare me Serbinë s’janë masa ekonomiko-tregtare

Kryeministri i Kosovës, Albin kurti, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, u shpreh se është i gatshëm për dialog. Ai theksoi se është i përkushtuar në këtë proces, por para kësaj shtoi se zbatimi i ligjit dhe kushtetutës është kryefjalë e veprimtarisë së tij në krye te qeverisë së Kosovës.

““Nuk ka kuptim që për zbatim të sundimit të ligjit të ketë koordinim, paralajmërim, para se të ndodhë ligji. Sepse kjo i bie sundim me ligjin, ne jemi për sundim të ligjit. Kam shprehur gatishmërinë për dialog. Kur ta caktojnë takimin, jam i gatshëm. Nuk mund të shndërrohem në shkelës i ligjit në Kosovë. Në dialog i gatshëm, i përkushtuar, por në Kosovë ligj dhe Kushtetutë”- tha Kurti.

Ai foli edhe për masat në pikat e kalimit kufitar, ku tha se “kontrollet” nuk janë masa ekonomiko-tregtare, por janë masa të shtuara sigurie. Kryeministri u shpreh gjithashtu se agresioni është i qartë dhe burimin e ka në Serbi.

“Masat tona, nëpër vendet e kalimit kufitar me Serbinë nuk janë masa e ekonomiko-tregtare, por janë masa të sigurisë. Gjendja nuk është aspak e zakonshme, dhe për ne është e qartë se agresioni vjen nga Serbia. Nganjëherë në rrugë informale dhe është e mundshme edhe në vendkalime kufitare, prandaj si masa të sigurisë ne kemi marrë vendimin për qarkullimin të kufizuar dhe kontrolle të shtuara deri në një vendim tjetër”-shtoi ai.

MARKETING