Të burgosurit palestinezë transferohen në dy burgje izraelite para lirimit të planifikuar

Autoritetet izraelite kanë filluar të shtunën transferimin e të burgosurve palestinezë në dy qendra paraburgimi, në prag të lirimit të tyre të planifikuar sipas marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, raportuan mediat lokale.
Sipas transmetuesit publik izraelit KAN, të burgosurit që pritet të dërgohen në Rripin e Gazës ose të deportohen përmes pikës kufitare të Rafahut janë transferuar në burgun Ketziot, në zonën shkretinore të jugut të Izraelit.
Ndërkohë, ata që pritet të lirohen nga Bregu Perëndimor i pushtuar janë dërguar në burgun Ofer, në perëndim të Ramallahut, shton raporti.
Sipas marrëveshjes, 2.000 të burgosur palestinezë, përfshirë 250 të dënuar me burgim të përjetshëm dhe 1.700 të ndaluar në Gaza që nga fillimi i luftës në tetor 2023, do të lirohen në këmbim të 48 pengjeve izraelite.
Ministria e Drejtësisë e Izraelit publikoi të premten listën me emrat e 250 të burgosurve që vuajnë dënime të përjetshme.
Zyra Mediatike e të Burgosurve Palestinezë, e lidhur me Hamasin, mohoi se është arritur ndonjë konsensus mbi listat e të burgosurve të përfshirë në shkëmbim.
Faza e parë e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza hyri në fuqi të premten në mesditë (ora lokale 12:00). Forcat izraelite përfunduan tërheqjen graduale drejt të ashtuquajturës “vijë e verdhë” atë pasdite, duke hapur dritaren 72-orëshe për procesin e shkëmbimit.
Sipas raportimeve, faza e dytë e planit parashikon krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës në Gaza pa pjesëmarrjen e Hamasit, formimin e një force të përbashkët sigurie të përbërë nga palestinezë dhe trupa nga vende arabe dhe islame, si dhe çarmatimin e Hamasit.
Që nga tetori 2023, sulmet izraelite kanë vrarë afër 67.200 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, duke e lënë enklavën praktikisht të pabanueshme.