Tarifat “lëkundin” tregjet/ Dobësohet dollari, nafta ulet në 70 dollarë për fuçi

Tarifat “lëkundin” tregjet/ Dobësohet dollari, nafta ulet në 70 dollarë për fuçi

Tregjet globale ranë ndjeshëm pas nisjes së zbatimit të tarifave të Trump për Meksikën dhe Kanadanë. Investitorët po përgatiten për ndikimin e tyre së bashku me veprimet hakmarrëse të vendeve që janë tarifuar.

Dollari amerikan ndërkohë u dobësua kundrejt monedhave të tjera kryesore për shkak të rënies së yieldeve të obligacioneve të qeverisë amerikane. Tarifat kanë ndikuar drejtpërdrejt edhe dollarin kanadez dhe valutën meksikane peso. Kjo e fundit shënoi nivelin më të ulët që nga mesi i vitit 2022. Tarifat tregtare kanë impaktuar edhe çmimin e naftës pasi rritën humbjet të martën. Kontratat e naftës brent ranë me mbi 1.5% duke zbritur në 70.5 dollarë për fuçi. Luhatjet e çmimit u mbështetën edhe nga lëvizjet e Organizatës Eksportuese të Naftës OPEC, e cila do të vazhdojë me rritjen e planifikuar të prodhimit në prill.

Ndërkohë çmimet e metaleve të çmuara thuajse mbetën të pandryshuara pavarësisht tarifave, mbështetur nga kërkesa e investitorëve për asete të sigurta. Masat tarifore kanë ndikuar ndër të tjera edhe tregun e kriptovalutave pasi mori vrull pak ditë më parë nisur nga lajmi se Donald Trump do të përfshinte pesë monedha dixhitale në rezervën strategjike përfshirë Bitcoin. Ky i fundit të martën u tërhoq duke rënë pranë nivelit të 83 mijë dollarëve, një rënie me gati 9% brenda 24 orëve. Bitcoin ka tërhequr pas edhe kriptovaluta të tjera si Etherium si dhe Ripple.

Lufta tregtare sipas ekonomistëve do të sjellë pasoja të drejtpërdrejta për konsumatorët pasi do të përballen me çmime më të larta pikërisht për shkak të tarifave. Një rindezje e presioneve inflacioniste do të kthehej në një shqetësim të madh për bankat qendrore që prej më shumë se dy vitesh kanë ndjekur një politikë të kujdesshme për të mbajtur inflacionin nën kontroll dhe mos penguar rritjen ekonomike.

MARKETING