Tani mund t’i vendosni bisedat me ChatGPT në arkiv
ChatGPT ka lansuar një veçori të re në ueb, si dhe në sistemin operativ të Apple, iOS.
Me veçorinë e re të platformës ju do të mund të vendosni bisedat tuaja në arkiv, pa pasur nevojë t’i fshini.
Për ta bërë këtë, duhet të shkoni në shiritin anësor ku janë të ruajtura të gjitha bisedat që keni pasur me ChatGPT-n, të klikoni tek njëra që doni ta vendosni në arkiv, pasi ta keni bërë këtu klikoni në butonin me tre pika dhe më pas do t’ju hapet një shirit tjetër, në të cilin do të shihni opsionin ‘archive’ (arkiv).
Megjithatë, në rast se doni të keni qasje tek biseda e arkivuar mund të shkoni tek opsioni ‘settings’ pastaj tek opsioni ‘archive’.
Sipas OpenAI, opsioni është i disponueshëm në ueb dhe në iOS derisa për Android pritet të vijë së shpejti.
Rikujtojmë, se Europa arriti një marrëveshje të përkohshme mbi rregullat e përdorimit të Inteligjencës Artificiale, përfshirë përdorimin e saj nga qeveritë, në shqyrtimin e të dhënave biometrike, si dhe mënyrën e rregullimit të sistemeve të Inteligjencës Artificiale si ChatGPT.
Me këtë marrëveshje politike, BE-ja duket se po shkon drejt shndërrimit në fuqinë e parë të madhe botërore, që miraton ligje që rregullojnë Inteligjencën Artificiale.
Akordi mes vendeve të BE-së dhe anëtarëve të Parlamentit Europian erdhi pas gati 15 orësh negociatash që pasuan një debat pothuajse 24-orësh.
Palët janë të vendosura të përcaktojnë detajet në ditët në vijim, që mund të ndryshojnë formën e ligjit përfundimtar.
Marrëveshja parashikon masa mbrojtëse të përgjithshme lidhur me përdorimin e Inteligjencës Artificiale, kufizimin në përdorimin e zbatimit të ligjit të sistemeve të identifikimit biometrik, si dhe ndalime në përdorimin e Inteligjencës Artificiale për të manipuluar ose shfrytëzuar dobësitë e përdoruesve.